Përzgjedhësi Bllagoja Milevski ka shpallur listën e futbollistëve për ndeshjen vendimtare të kualifikimeve, ku mungesa e Alioskit shihet si humbje e madhe për skuadrën, njofton Telegrafi. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të ciklit kualifikues për Kupën e Botës, përballë Uellsit në Kardif. Kjo sfidë pritet të jetë përcaktuese për vendin e dytë në grup dhe mundësinë e kalimit në fazën tjetër. Në prag të grumbullimit, trajneri Bllagoja Milevski ka bërë publike listën me 28 futbollistë të ftuar. Mungesa më e madhe është ajo e Ezgjan Alioskit, i cili është dëmtuar gjatë lojës me klubin e tij Lugano. Në anën tjetër, lajmi i mirë vjen nga rikthimi i Visar Musliut, që pas lëndimit ndaj Belgjikës është sërish gati për të luajtur. Në listë janë përfshirë emra të njohur si kapiteni Enis Bardhi që luan te Konyaspor në Turqi, Isnik Alimi i Daliang Janbo në Kinë, Lirim Qamili te Sonderjiske në Danimarkë, Stole Dimitrievski te Valencia dhe Elif Elmas te Napoli. Krahas tyre, janë ftuar edhe disa lojtarë që aktivizohen në kampionatin vendor, përfshirë Reshat Ramadanin e Shkëndijës dhe Bojan Ilievskin nga Struga Trim Lum. Grumbullimi do të nisë të hënën në hotelin “Hilton” në Shkup, ku skuadra do të zhvillojë disa ditë stërvitje përgatitore. Më 13 nëntor, Maqedonia do të zhvillojë një miqësore kundër Letonisë, që do të shërbejë si provë gjenerale para ndeshjes kryesore. Dueli vendimtar kundër Uellsit në Kardif do të luhet më 18 nëntor, në një ndeshje që mund të përcaktojë fatin e Maqedonisë në garën për një vend në Kampionatin Botëror. /Telegrafi/