Biblioteka e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë është pasuruar me një sërë veprash të reja, të siguruara nga Instituti i Historisë në Prishtinë, në bashkëpunim me ish-mësimdhënësin Muharrem Mazreku, tani pensionist dhe veteran i arsimit. Dorëzimin e botimeve e ka bërë Sabit Berisha, udhëheqës i Drejtorisë Arsimore, i cili theksoi rëndësinë e literaturës shkencore për zgjerimin e dijes dhe formimin akademik të nxënësve të gjimnazit. Ndërsa, Valbonë Mazreku-Krasniqi, përgjegjëse e bibliotekës së shkollës, e përshëndeti këtë nismë si një hap të rëndësishëm për zgjërimin e fondit të bibliotekës dhe rritjen e mundësive për kërkim dhe studim për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ajo shtoi se vepra të tilla përbëjnë një kontribut të çmuar për edukimin cilësor dhe ruajtjen e trashëgimisë historike. Ky përforcim i bibliotekës synon të nxisë kulturën e leximit dhe të kërkimit akademik ndër brezat e rinj në Malishevë. / Telegrafi /