Policia publikon pamje nga operacioni “Neonët 2”, arrestohet një 22-vjeçar, procedohet penalisht nëna e tij dhe shpallet në kërkim babai

Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga operacioni “Neonët 2”, ku janë sekuestruar 287 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, kanabis, municion luftarak, etj. Në njoftimin e Policisë thuhet se në zbatim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje. “Si rezultat u finalizua operacioni policor i koduar ‘Neonët 2’. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 22 vjeç, u procedua penalisht nëna e tij, shtetasja F. B., 54 vjeçe, dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi S. B., 57 vjeç, të tre banues në fshatin Bajzë”, thuhet në njoftim. Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetaseve dhe në një banesë të pabanuar në fshatin Bajzë, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 119 bimë dhe 168 fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa, municion luftarak, 1 armë të ftohtë (thikë), 49 llamba, 47 pajisje elektrike inverter, 3 aspiratorë, 2 filtra ajri, 2 automjete dhe 9 celularë. Gjatë kontrollit në banesën e pabanuar, u konstatua edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit S. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 138 arka dhe shishe me pije të ndryshme alkoolike, të dyshuara të kontrabanduara. Në vijim të veprimeve hetimor dhe procedurale për këtë rast u ndaluan shtetasit E. Ç., 27 vjeç dhe F. D., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Bajzë, dhe nisi procedimi penal për shtetasit L. L., 52 vjeç, banues në fshatin Bajzë, dhe I. D., 53 vjeçe, banuese në Koplik, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. Policia njofton se po vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/