Policia heton svastikat e vizatuara me gjak njerëzor në 50 vetura në Gjermani

Policia në Gjermani tha të enjten se po heton pamjen e svastikave të pikturuara me gjak njerëzor dhe të lyer në dhjetëra makina, disa kuti postare dhe fasada ndërtesash në qytetin qendror të Hanau. Zëdhënësi i policisë Thomas Leipold tha se oficerët u njoftuan të mërkurën në mbrëmje, kur një burrë raportoi se kishte vënë re formën e një svastike të aplikuar në një lëng të kuq në kapakun e një makine të parkuar. Një test i veçantë zbuloi shpejt se substanca ishte gjak njerëzor. Policia tha se në total, pothuajse 50 makina ishin dëmtuar në një mënyrë të ngjashme, transmeton Telegrafi. "Sfondi është plotësisht i paqartë", tha Leipold, duke shtuar se hetuesit nuk e dinin nëse makina, kuti postare dhe ndërtesa specifike ishin në shënjestër apo nëse svastikat ishin aplikuar rastësisht. Ai tha se kishte edhe disa shkarravina të tjera në makina dhe ndërtesa të cilat ai nuk mundi t'i identifikonte. Nuk kishte asnjë tregues se kush qëndron pas incidentit ose nga erdhi gjaku, tha Leipold. Ai shtoi se zyrtarët nuk ishin në dijeni të ndonjë lëndimi në lidhje me incidentet. Për momentin, policia po heton dëmtimin e pronës dhe përdorimin e simboleve të organizatave jokushtetuese. Shfaqja e emblemave naziste, përfshirë svastikën, është e paligjshme në Gjermani. Svastika konsiderohet një simbol i urrejtjes që evokon tmerret e Gjermanisë naziste dhe traumën e Holokaustit. Supremacistët e bardhë, grupet neonaziste dhe vandalët kanë vazhduar ta përdorin atë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për të nxitur frikë dhe urrejtje. Hanau ishte në titujt kryesorë të lajmeve pesë vjet më parë kur një sulmues gjerman qëlloi dhe vrau nëntë persona me prejardhje emigrantësh në një sulm në një bar nargjileje në qytet, në një nga rastet më të këqija të terrorizmit vendas që nga Lufta e Dytë Botërore. /Telegrafi/