Bayern Munich duket se është gati të ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të parandaluar që Barcelona të tentojë nënshkrimin e Harry Kane verën e ardhshme. Sulmuesi anglez, i cili do të mbushë 33 vjeç, është parë si pasuesi ideal i Robert Lewandowskit, që pritet të largohet nga ‘Camp Nou’ pas përfundimit të kontratës së tij. Ndryshe nga politika e zakonshme e Bayernit dhe Real Madridit, që ofrojnë vetëm kontrata njëvjeçare për lojtarët mbi 30 vjeç, bavarezët janë të gatshëm të bëjnë një përjashtim dhe t’i ofrojnë Kane një kontratë bujare dhe më të gjatë, për ta bindur të qëndrojë. Nga ana tjetër, Barcelona po përballet me kufizime të rënda financiare, dhe kontrata prej 65 milionë eurosh e Kane duket e paarritshme për buxhetin e klubit. Përveç anglezit, katalanasit po shqyrtojnë alternativa më ekonomike, përfshirë Karl Etta Eyong të Levantes dhe Serhou Guirassy të Borussia Dortmund, si opsione më të përballueshme për të zëvendësuar Lewandowskin. Bayerni duket se nuk dëshiron të lejojë një “efekt Lewandowski” të përsëritet dhe është gati të bëjë gjithçka për të siguruar që Harry Kane të mos kthehet në objektivin kryesor të Barcelonës. /Telegrafi/