Ylli i Inter Miamit dhe kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ka folur me emocion për ndjesitë unike që përjetoi kur ngriti Kupën e Botës në vitin 2022, duke e përshkruar atë moment si kulmin e karrierës së tij dhe krahasuar me lindjen e fëmijëve të tij. Duke folur gjatë një interviste me kryebashkiakun e Miamit, Francis Suarez, i cili i dorëzoi çelësin ceremonial të qytetit, Messi e cilësoi trofeun më të çmuar në futboll si “Graalin e shenjtë” të karrierës së tij. “Kur fitova Kupën e Botës, pata të njëjtën ndjesi si kur më lindën fëmijët,” tha ikona argjentinase. “Është një ndjenjë që është e vështirë të shpjegohet, aq e veçantë dhe aq e madhe sa çfarëdo që të them për të, do të dështojë gjithmonë". Messi shtoi se trofeu i Botërorit ka një domethënie të jashtëzakonshme për të, jo vetëm në aspektin personal, por edhe për familjen, bashkëlojtarët dhe gjithë kombin argjentinas. “Fitimi i Kupës së Botës është arritja më e madhe. Pas Kupës së Botës, nuk ka asgjë më shumë që mund të kërkosh. Është e vështirë të përshkruash ndjenjat nga ai moment, por ishte diçka që e kompletoi plotësisht karrierën time". Sipas Messit, mënyra se si e festoi e gjithë Argjentina e tregoi më së miri peshën e këtij suksesi historik. telegrafi.com “Ishte e qartë se si e festoi i gjithë kombi, nevoja dhe dëshira që të gjithë kishim që kjo të ndodhte përsëri pas kaq shumë vitesh". "Ishte diçka e veçantë, sepse kisha qenë mjaft me fat të arrija gjithçka tjetër më parë, si në nivel klubi, ashtu edhe individualisht. Kupa e Botës ishte pjesa që mungonte, ajo që e kompletoi të gjithë karrierën time me atë trofe", përfundoi legjenda argjentinase. /Telegrafi/