Bajrami i reagon Muratit për buxhetin e Prishtinës: Trego pse e mbajte në sirtar për 46 ditë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati i cili kritikoi LDK-në për mosmiratimin e buxhetit të Prishtinës. Bajrami në një reagim në Facebook, ka shkruar se Murati për 46 ditë e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar e nuk e ka përcjellë për aprovim në Kuvend. “Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës plotë 46 ditë në sirtar dhe a e dini kur e ka përcjellë në Kuvend të Kosovës, e ka përcjellë me 31.01.2025, shiheni shkresën që ai ka postuar vetë”, ka shkruar Bajrami. Ajo ka shtuar se Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka kaluar buxhetin e Prishtinës me datë 9.12.2024. “Dmth. Hekurani buxhetin e Prishtinës e ka përcjellë në Kuvend në kulmin e fushatës zgjedhore me 31 janar dhe normalisht Glauk Konjufca si kryetar as që është marrë me këtë punë, sepse ai është dashur të thërrasë mbledhje të Kryesisë, e të caktojë seancë dhe ta kalojmë buxhetin e komunës së Prishtinës para një viti, por jo këto nuk kanë ndodhur. Tani akuzat e propaganduesit janë se LDK-ja po e bllokon kuvendin dhe s’po e kalon buxhetin e komunës së Prishtinës. E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare?”, ka shkruar tutje deputetja e LDK-së. Murati kritikon LDK-në për mosmiratimin e buxhetit të Prishtinës: Kush është bllokuesi i buxhetit? Bajrami i ka kërkuar Muratit që tu tregoj qytetarëve pse e ke mbajtur në sirtar buxhetin e komunës së Prishtinës 46 ditë dhe nuk e ke sjellë në Kuvend atëherë kur Kuvendi ka qenë funksional dhe i ka pasur krejt trupat funksional. “Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë. Mjaft, propagandove! Liroje buxhetin e RTK-së, siç e bëre para tre muajve ose siç është vepruar më 2021, sepse derisa ti po mashtron në fcb disa familje bukën në market janë t'u e marrë veresi”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/