Nga vështirësitë personale te kaosi në klubin holandez dhe ofertat, rikthimi i Valon Zumerit: Vitesse klub i madh që synoj ta rikthej në Eredivisie

Qendërmbrojtësi kosovar Valon Zumberi ka nisur aventurën e tij te Vitesse, një nga klubet me traditë të madhe në Holandë. Pas një viti shumë të vështirë, ku u përball me një lëndim të rëndë te Hamburg dhe nuk luajti për një periudhë të gjatë, Zumberi vendosi të transferohej te Vitesse, duke zgjedhur një klub me tifozëri të zjarrtë dhe ambient të madh futbollistik. Ky sezon ka qenë sfidues për skuadrën holandeze, e cila fillimisht përjetoi një situatë kaotike. Licenca e klubit u tërhoq nga federata, shumë futbollistë u larguan dhe ekipi u ndëshkua me minus 12 pikë. Megjithatë, Vitesse e rifitoi licencën dhe skuadra ka arritur gradualisht të rimarrë pozitat e saj, duke dalë në plus pas disa ndeshjeve. View this post on Instagram A post shared by VALON ZUMBERI (@valon_zumberi) Ky kontekst e bën aventurën e Zumberit edhe më të rëndësishme, pasi ai ka qenë pjesë e një ekipi që ka luftuar për të stabilizuar situatën brenda klubit. Në një intervistë për Telegrafin, mbrojtësi dardan flet për gjithçka, frikën e mos licencimit, rrezikun që mori për të shkuar te Vitesse, ndeshjet fantastike që po zhvillon në Holandë, ofertat si dhe të ardhmen e tij. 22-vjeçari bëri një hap mbrapa duke shkuar në Eerste Divisie (niveli i dytë në futbollin holandez), por me një qëllim të vetëm, të rikthehet në futbollin elitar në të ardhmen. Zumberi rrëfen për vendimin për të ardhur te Vitesse dhe faktin që e ka zgjedhur këtë klub mbi oferta të tjera. “Pranova të shkoja te Vitesse pas një viti shumë të vështirë për mua. Kisha pësuar një lëndim të rëndë dhe nuk luaja te Hamburg, kështu që oferta e Vitesses më erdhi në kohën e duhur. Kisha disa oferta nga Bundesliga 3, megjithatë zgjodha Vitessen pasi është një klub i madh, me tifozëri të zjarrtë dhe shumë traditë. Gjithashtu rol të madh luajtën edhe trajneri dhe drejtori sportiv që treguan besim të madh në mua", thotë mbrojtësi kosovar për Telegrafin. Ai tregon edhe për situatën kaotike që kishte përjetuar klubi dhe sfidat që e pritnin në fillim të sezonit. “Realisht, fillimisht ka qenë një kaos, pasi nuk dihej se çfarë po ndodhte me klubin. Licenca ishte tërhequr, dhe më vonë klubi e rifitoi atë. Por shumë futbollistë u larguan nga klubi”. Zumberi thekson progresin e skuadrës dhe gjendjen e ekipit pas nisjes së sezonit, ku Vitesse tani ndodhet në plus të pikëve, edhe pse u dënua me minus 12 pikë. “Tani kemi filluar të luajmë, ku kemi qenë të dënuar me 12 pikë nga Federata. Kemi arritur të heqim minusin dhe pas 12 ndeshjeve e rëndësishme është se kemi dalë në plus dhe kemi gjashtë pikë”, vazhdon tutje Zumberi. Ai është shumë i kënaqur edhe me formën e tij personale dhe ambientin te klubi holandez. “Personalisht jam shumë i kënaqur që jam në këtë klub. Vitesse është një klub shumë i madh në Holandë, me një tifozëri shumë të madhe, ku në çdo ndeshje si vendas kemi mbi 20 mijë tifozë të pranishëm. Jam shumë i lumtur edhe me formën time, sepse po luaj çdo ndeshje nga 90 minuta dhe nuk kam më probleme me lëndime”. Objektivat me ekipin janë ambicioze dhe të qarta, pasi synojnë Play-Off-in për tu rikthyer në elitë. “Objektivat me klubin janë që të arrijmë të futemi në Play-Off për inkuadrim në Eredivisie. Realisht, dy pozitat e para janë shumë të vështira, por nëse e arrijmë Play-Off-in, atëherë kemi gjasa. Skuadra po luan shumë mirë, jemi komponuar si ekip dhe jemi një grup me futbollistë të rinj", thotë Zumberi për Telegrafin. Ndërsa objektivat personale lidhen me zhvillimin e karrierës dhe rritjen si futbollist pasi ai ende është në moshë të re. Ai tregon se qysh tani ka klube që janë interesuar për shërbimet e tij. “Sa i përket objektivave personale, qëllimi im është të vazhdoj të rritem edhe më shumë, të luaj rregullisht dhe të bëj një hap përpara në karrierë, qoftë me Vitessen në Eredivisie ose me ndonjë skuadër tjetër. Falë paraqitjeve të mira që kam bërë dhe ndeshjeve të rregullta që kam zhvilluar, menjëherë ka pasur interesim nga skuadra të Bundesliga 2, por edhe nga Superliga e Belgjikës dhe nga Eredivisie. Gjithsesi, unë dua të luaj sa më shumë, të rritem sa më shumë dhe pastaj do të shohim për të ardhmen”, vazhdon tutje Zumberi. Te Vitesse më parë kanë luajtur Milot Rashica dhe Armando Broja, dy futbollistë që kanë lënë gjurmë në këtë klub, derisa Zumberi tregon gjithashtu inspirimin që ka marrë nga bashkëkombësit e tij të njohur. “Rashica dhe Broja janë dy futbollistë që kanë lënë gjurmë te Vitesse. Tifozët vazhdojnë t’i përmendin edhe pas shumë vitesh të kaluara. Sigurisht që më vjen mirë kur flitet mirë për bashkëkombës të mi, dhe qëllimi im është që të ndjek rrugën e Milotit dhe Armandos, të bëj mirë te Vitesse dhe të bëj hapa para në karrierë”. Qendërmbrojtësi dardan ka kaluar të gjitha grupmoshat te Kombëtarja e Kosovës dhe ka qenë kapiten i U21. “Unë kam kaluar të gjitha grupmoshat te Kombëtarja e Kosovës dhe sigurisht që ëndrra ime mbetet të debutoj me Kombëtaren A. Kam shumë punë përpara vetes, të shkoj në një kampionat më të fortë dhe pastaj do të synoj grumbullimin te Kombëtarja A, pasi është një ëndërr e imja që një ditë do ta bëj realitet", përfundoi mbrojtësi dardan. View this post on Instagram A post shared by VALON ZUMBERI (@valon_zumberi) Ish-anëtari i Hamburgut ka kontratë me Vitessen deri në vitin 2027, por në rast se vazhdon me këtë formë të shkëlqyer duket se ai do të bëjë hap para në karrierë pasi tanimë ka interesime nga klube elitare. /Telegrafi/