Buxheti i Prishtinës ka nxitur sërish një tjetër përplasje në rrjetet sociale mes LVV-së dhe LDK-së. Ishte fillimisht ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i cili fajësoi LDK-në për mosmiratimin e buxhetit të Prishtinës. Pas kësaj reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila tha se Murati e ka mbajtur për 46 ditë në sirtar buxhetin e Prishtinës dhe nuk e ka përcjellë për aprovim në Kuvend. Një tjetër reagim ka ardhur sërish nga Hekuran Murati, i cili ka thënë se Bajrami e demantoi edhe vetë që kinse Qeveria nuk e ka përcjellë në Kuvend buxhetin. “Hykmete, u demantuat edhe vetë që Qeveria gjoja nuk e paska përcjellë në Kuvend buxhetin e Prishtinës. Pra e paska përcjellë. Buxheti i Prishtinës nuk e ka kaluar asnjë ditë në sirtar, por sikurse çdo buxhet tjetër, materiali fillimisht verifikohet nëse është në përputhje me legjislacionin nga Departamenti i Buxhetit në MFPT, e pastaj përcillet për miratim në Qeveri e Kuvend. Me logjikën tënde, edhe vetë Përparimi e paska mbajtë në sirtar buxhetin nga data 9 dhjetor deri me datën 17 dhjetor, apo jo?”, ka shkruar Murati. Bajrami i reagon Muratit për buxhetin e Prishtinës: Trego pse e mbajte në sirtar për 46 ditë Murati ka pyetur Bajramin pse nuk po e miratojnë buxhetin. “Shto këtu edhe faktin që materiali është dorëzuar në kohën e festave të fundvitit, dhe gati gjysma e ditëve që paske numëruar ose kanë qenë festa zyrtare ose janë ditë fundjave. Siç e kam sqaruar tash e disa herë, problemi nuk është tek procedurat standarde, por tek vonesa përtej afatit ligjor që ishte 30 shtatori. E madje vonesa ka qenë edhe përtej datës kur ishte miratuar Ligji i Buxhetit në lexim të dytë, me 22 nëntor. Por, e gjitha kjo është e shkuara. Pse nuk po e miratoni tash buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 Hykmete?”, ka shkruar tutje Murati. Sipas tij arsyetimi me Komisionet Parlamentare nuk qëndron. “Mund të formohen vetëm Komisionet e Përhershme, për buxhet, legjislacion, integrime, dhe të drejta të komuniteteve. Këto komisione mjaftojnë të trajtohen edhe Buxheti për 2025 për tri komunat, edhe Ligji i Buxhetit 2026, e edhe buxheti për RTK-në”, ka theksuar Murati. /Telegrafi/