Një fundjavë plot “ha ha ha” për shqiptarët në diasporë - festivali “Shqip Up Comedy” solli të qeshura si asnjëherë tjetër në edicionin e katërt

Festivali i humorit ‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’ u mbajt këtë vit me edicionin e katërt, pas tre edicionesh të mëparshme të suksesshme. Ngjarja u zhvillua më 31 tetor dhe 1 nëntor 2025 në Stadthalle Dietikon të Cyrihut, dhe solli dy net plot humor për të gjithë të pranishmit. Nata e parë – 31 tetor Nën moderimin e Adriana Matoshit dhe Ylber Bardhit, dy artistë dhe aktorë shumë të mirë me sens të shkëlqyer humori, nata e parë nisi me të qeshura që paralajmëruan atmosferën të festivalit. Salla u mbush me të qeshura dhe entuziazëm teksa skenën e morën Ernest Zymberi, Med Sadrija, Edona Reshitaj, Besart Sllamniku dhe Luan Comedy. Edona Reshitaj dallohej me dy role këtë herë: si performuese në stand-up së bashku me Besart Sllamnikun, dhe më pas duke kënduar në After Party-n e natës së dytë, duke treguar shumëanshmërinë e saj artistike. Një moment i veçantë për publikun ishte prezenca e Kryeministrit Albin Kurti, i cili u prit me duartrokitje të ngrohta nga të gjithë të pranishmit, duke shënuar herën e parë që merr pjesë në ‘Shqip Up Comedy Festival’. Për atmosferën muzikore në After Party-n e natës së parë u kujdes TNT Band. Nata e dytë – 1 nëntor Nata e dytë nisi me të njëjtin entuziazëm si nata e parë. Salla ishte plot, dhe publiku priste me padurim të shihte në skenë Shpend Ahmetin, Valina Muçollin dhe Lulzim Bucollin, të cilët sollën një tjetër natë të mbushur me humor dhe energji. T-Romino, përmes një video-mesazhi, paralajmëroi se nuk do të ishte i pranishëm në festival. Në vend të tij, në skenë u paraqit komediani nga Zvicra Fabio Landert. Festivali vazhdoi më pas me një performancë fantastike nga Edona & Band, që ngriti atmosferën edhe më lart. Ernest, ti tashmë je thuajse rregullisht pjesë e festivalit Shqip Up Comedy. Na trego pak si ishte për ty eksperienca këtë vit? Ernest Zymberi : Unë jam prej fillimi të këtij festivali. Ky është festival i jashtëzakonshëm që e bëjnë Riki edhe Albani. Jam prej edicionit të parë, çdo herë që vij, marr shumë dashuri prej këtyre njerëzve, janë te jashtëzakonshëm, na presin tepër mirë, faleminderit përnjëmend. Hiç pa folur, në momentet e para që hymë në skenë, ata na duan jashtëzakonisht shumë. Çfarë ndryshimi ke parë te festivali gjatë viteve? Ernest Zymberi : Fillimisht ka filluar ne Bazel, përveç se kanë ndryshuar kushtet financiare, ka ndryshuar organizimi, profesionalizmi, edhe është krijuar edhe një infastrukturë më e mirë se që ka qenë, një ekipë më e madhe, kanë filluar të zgjerohen, sepse pa ndihmë financiare nuk mund të krijosh ekipë të mirë edhe një skuadër profesionale që mund të bëjnë këtë punë, siç janë duke e bërë. A ka një rritje të interesimit të shqiptarëve për të ndjekur zhanrin stand up komedi? Si zhanër ka marrë hov goxha shumë edhe në Kosovë, edhe në trojet shqiptare në përgjithësi. Mendoj që është një zhanër shumë komod për publikun, edhe ofron një rehati, ofron atmosferë të mirë, të lehtë, është një lloj limonade artistike të cilën publiku e përjeton jashtëzakonisht mirë edhe ne na bën të ndihemi mirë, si zhanër ka munguar goxha shumë dhe ofrojmë diçka tepër të mirë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili mori pjesë për herë të parë në festivalin “Shqip Up Comedy”, u pyet se si po ndihej dhe si e kishin pritur shqiptarët në këtë ngjarje. Ai për Telegrafin u shpreh: Pas një paradite dhe mesdite shumë të angazhuar ne Prishtinë, erdha me aeroplan në Cyrih, për të parë këtë stand up komedinë, e cila quhet Shqip Up dhe më thanë që, kurgjë nuk qeshesh mirë në Kosovë, çka qeshesh mirë në Zvicër dhe erdha t’i shoh këtu disa prej artistëve tanë që në fakt, edhe po na bëjnë krenarë me punën e tyre, por në të njëjtën kohë janë edhe tejet të këndshëm sepse i bëjnë shqiptarët bashkë edhe i bëjnë ata që të ndjehen shumë mirë. Unë falënderoj organizatorët, shpresoj që, gjithnjë e më shumë shqiptarët që jetojnë në Zvicër, do të mund ta ndjekin Shqip Up, që është një iniciativë që ka gjetur mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës edhe Të punëve të Jashtme edhe Diasporës në anën tjetër. Të shohim zakonisht në paraqitje serioze. Sa jeni i dhënë pas komedisë? Komedia është një zhanër shumë i vështirë për t’u shkruar. Unë besoj që komedia është më e veshtirë për t’u shkruar se sa drama ose tragjedia, prandaj jam edhe gjithmonë kurioz se aty ku komedia shkruhet mirë, do të thotë që ka talent shumë dhe neve ato nuk na mungojnë, por është ndryshe kur e përjeton në një performancë të gjallë, sikurse kjo në Cyrih sonte. Meqë jeni këtu, a do të thotë se edhe politikanët kanë nevojë për ‘Stand Up Therapy’? Pavarësisht sa mund të ketë humor në politikë, ky humor është i pazëvendësueshëm, jo vetëm për shkak se është po ashtu politik, por edhe për shkak se këta e kanë profesion dhe kujdesen me gjasë për shikuesit ndoshta më shumë se politikanët për qytetarët. Aktorët Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku, të cilët janë të martuar, morën pjesë si çift për herë të parë në “Shqip Up Comedy”. Në intervistë ata u pyetën se si ishte kjo përvojë për ta. Edona: Unë edhe Besarti e kemi edhe një miniserial “Burrë e Gru” që dallon faktikisht me mënyrën e stand up-it, por hera e parë që kemi ardhur si stand up, edhe e kaluan tepër mirë, u kënaqëm, e ndjemë edhe energjinë prej publikut, ishte fantazi. Unë kam qenë vitin e kaluar me muzikë, por e shoh dallimin e organizimit që çdo vjet Shqip Up Festival shkon duke u rritur dhe duke qenë më mirë, e më mirë. I përgëzoj shume dhe i falënderoj shumë, që na kanë ftuar prapë. Besarti: Ka qenë një eksperiencë e mirë sepse edhe për neve ka qenë hera e parë. Ne asnjëherë nuk kemi bërë Stand Up. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, u prit mirë, provuam edhe diçka që s’e kemi provuar më herët dhe besoj që nuk do ta lëmë me kaq. Edonë, ti vjen me dy përgjegjësi, si aktore dhe si performuese në after party. Sa të vështirë e ke pasur për t’u përgatitur me të dyja? Edona: Jo, ndoshta më të vështirë e kemi pasur të përgatitemi me Stand Up, sepse e kam një rutinë të zakonshme me performancat live të muzikës, jam shumë aktive në Kosovë në përgjithesi, por natyrisht që më ka vyer përgatitja edhe për atë pjesë, por meqë ndahen dy ditë, nuk është në të njëjtën ditë, e kam njëfarë relaksimi pak më të mirë, mirëpo jam tepër e lumtur që kam ardhur me të dyja thënë të drejtën, se shumica e njerëzve, disa më njohin si këngëtare e jo si aktore, e disa më njohin si aktore e jo si këngëtare, kështu që në këtë edicion do të më shohin në dy profilet e mia. Med Sadrija i pyetur se si e priti publiku shqiptar për herë të dytë, ai u përgjigj: Fenomenal! S’ma ka marrë mendja. Që dy vjet e gjysmë jam stand up komedian dhe vetëm në Austri, Gjermani e Zvicër, dua të them që s’më ka rënë shpesh me shqiptarë, kemi pasë 2-3 në publik, por vetëm shqiptarë si në Shqip Up Comedy Festival, s’me ka rënë kurrë. Ikur verës kur shkojmë, qysh të presin dajtë, ashtu më kanë pritur, shumë jam i gëzueshëm, shumë jam krenar se e vërej se janë duke e kuptuar komedinë, e duan dhe qeshin bashkë me ty. A mendon se kësaj here ke qenë pak më ndryshe se prej herës së parë, a ke vërejtur ndryshim te vetja? Medi: Po, shumë ma konfident kam qenë, kur e kam parë te parin Ernest Zymberin duke qeshur, thashë pse të kem frikë unë, ky eshte publiku im, këta janë njerëzit e mi, këta më kuptojnë, këta e flasin gjuhën, janë rritur si unë, kur flas për “çka m’ka ba nana, çka m’ka ba baba”, krejt e kemi përjetuar njëjtë, për këtë e kam ndier veten shumë mirë, fenomenal. Luan, na tregoni si të priti publiku shqiptar sonte në Shqip Up Comedy? Luani: Ishte fantazi, une si stand up komedian, jam kënaqur, e kam ndier veten shumë mirë, kanë qeshur nonstop dhe fantazi ka qenë. Si po e sheh zhvillimin e zhanrit Stand Up Comedy të komunitetit shqiptar në diasporë? Faktikisht, duhet të pranojmë realitetin, e kemi një problem. Shqiptarit në fillim nuk i pëlqen Stan Up-i, thotë “po e kqyri në internet”, e kam vërejtur eehe ne shfaqjet e mia, kur vinë njëherë, atëherë kënaqen me stand up, pastaj vinë prapë. Por, njëherë është zor, shqiptarët me i ngreh në stand up shoë, amo njëherë kur vinë, i ke përgjithmonë fansa. Lulzim Buçolli tregoi se si e humbi edicionin e vitit të kaluar dhe si ishte kjo herë për të: Më kanë ndalur në kufi, kam dashur të hyj përmes shalterit dhe kufitarin ta grith. Por, e kam ndalur veten, kam thënë vitin tjetër ju tregoj unë. Vec sa e kreva setin tim dhe publik më të mirë s’ka. Ëndërr e kam pasur t’i shoh komedianët të mblidhen dhe të bëjnë komedi, sepse kjo eshte sikur “Crème de la crème”, sendi më i mirë, t’i bësh njerëzit për të qeshur, ne kemi nevojë të qeshim shumë, si shqiptarë që kemi vuajtur shumë, tash kemi nevojë të çelemi krejt, kështu që s’do të ndalemi, po bëjmë festivale, po bëjmë komedi dhe njerëzit po e duan. Sa kemi filluar 5-6 vjetët e fundit, por tash jemi ‘top’. Ndërsa Shpend Ahmeti për përvojën e tij në Shqip Up Comedy tregoi: “Stand Up Comedy për herë të parë këtu, por e kam filluar në festivalin në Gjilan. E kam bërë për babain tim, i cili ka qenë artist. Vitin e ardhshëm bëhen pesë vite që ka ndërruar jetë dhe gjithmonë e kam pasur ëndërr ta bëj këtë, sidomos tani që jam më i lirë për t’u shprehur, pasi nuk jam më në politikë”, tha ai. Ai shtoi se publiku ishte shumë i mirë, edicioni i katërt dhe organizimi po ashtu shumë i mirë. “E realizova ëndrrën time”, theksoi ai. Më tej, Shpendi tregoi se babai i tij i ndjerë, Ali Ahmeti, i kishte thënë të mos bëhej aktor, edhe pse ai e donte shumë artin, sepse mendonte se arti nuk respektohet dhe nuk çmohet sa duhet në Kosovë, kur i vinte ndonjë rol, çante nga gëzimi. Kur hyra në politikë, më tha se është gati njësoj – ‘pak aktrim aty, pak aktrim këtu’”, përfundoi Shpendi duke qeshur. Aktorja e njohur Adriana Matoshi, e cila moderoi festivalin për dy net radhazi, u shfaq plot energji, duke mbajtur publikun të angazhuar dhe duke sjellë të qeshura së bashku me Ylberin. Ajo për Telegrafin u shpreh: “Ishte fantastike! Unë jam për herë të parë, është e vërtetë, por vitin e kaluar kam qenë si mysafire. Kam kaluar tepër mirë, kam qeshur shumë. Sivjet ma kanë bërë ftesën si moderatore, dhe më duket se po më ecën. Publikut i kam pëlqyer shumë, dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur. Përnjëmend jam ndier tepër mirë”. Mes politikës dhe artit, ku po e gjen veten më shumë? Adriana: Edhe në art edhe në politikë unë jam shërbyese. Unë i shërbej popullit tim, i bëj të qesh, i bëj të qaj me rolet e mia. Punën si deputete e bëj me nder, me përkushtim të madh me energji të mirë, me vullnet. Aty ku janë zërat që populli im nuk mundet t’i çojë përpara, unë jam zëri i tyre. Kam bërë shumë punë të mira, shumë punë të mbara, shumë punë të drejta dhe jam shumë e lumtur dhe shumë krenare për çdo send që unë e bëj. Duke e ditur se Adrianën e kemi parë në role humoristike, ku ajo e ka bërë shkëlqyeshëm këtë punë, dhe se edhe në jetën reale ka një sens të veçantë humori, ajo e shfaqi këtë edhe gjatë moderimit, duke sjellë momente me plot të qeshura. Adriana: “Unë jam edhe në jetën e përditshme një njeri me humor. E kam një humor timin personal, që më buron nga zemra, dhe nuk ka qenë e vështirë sepse kam qenë vetvetja. Për këtë jam e mirë dhe e suksesshme në çdo gjë që bëj, sepse nuk dal prej vetes, nuk preferoj të dal prej Adrianës. Normalisht, në role dhe në filma e bëj karakterin që më ofrohet, por në jetën e përditshme, në këto gjëra, unë jam vetvetja, dhe për këtë arsye njerëzit më pranojnë. Jam e pranueshme për publikun dhe u pëlqej atyre”. Po ashtu, edhe Ylber Bardhi ka një humor të veçantë dhe ishte personi adekuat për t’iu bashkuar Adrianës në moderim. Ai për Telegrafin tha: “Është një punë që nuk e kam bërë kurrë më herët, edhe për mua ka qenë shumë sfiduese. Kur më kanë ftuar para dy vjetësh të jem pjesë e festivalit si moderator, nuk munda t’i them jo. Me të parën kisha dëshirë, por kisha emocione sepse nuk e kam bërë kurrë; është një lloj përgjegjësie ta moderosh një festival të tillë, me përmasa kaq të mëdha. Kur kam dëgjuar se do të jem bashkë me Adrianën, atëherë pa hezitim kam thënë ‘po, unë do të jem aty’. Unë e dua stand up-in shumë dhe nuk e kam bërë kurrë, në të ardhmen, por nuk e di kur. Në të ardhmen do ta bëj një stand up; kam nevojë unë si aktor të provoj edhe stand up-in”. Hana Ramosaj, menaxhere organizative, tha: “Unë besoj se është diçka që s’ka pasur kurrë më parë. I mbledh krejt shqiptarët bashkë për një gjë që është për kulturë; mblidhen rinia, njerëzit, çdo moshë. T’i bësh të gjithë bashkë në një event si ky festival është diçka shumë, shumë speciale, dhe jam tepër krenare që jam pjesë e këtij festivali”. Themeluesi dhe drejtori i Festivalit, Ridvan Murati, u shpreh: “Përfundoi edhe kjo. Tash jam njeriu më i lumtur, sidomos këtë javë që vjen, sepse ka qenë një punë dhe ngarkesë shumë e madhe, por duke parë që kemi një publik fantastik, duke parë që njerëzit, secili që del jashtë kësaj dere, është i qeshur, kjo na bën të harrojmë lodhjen që e kemi pasur këto muaj, sidomos muajt e fundit. Sigurisht që edhe edicioni i sivjetmë është më ndryshe se tjetri; çdo vit po rritemi, çdo vit po ndryshojmë diçka. Kësaj here, në bord të festivalit kemi ftuar njerëz të fushave të ndryshme, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh që të realizohet një gjë e tillë. Ky festival është festivali më i madh në Zvicër, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për zviceranët”. Ai gjithashtu njoftoi se “Shqip Up” do të jetë edhe në disa qytete të tjera dhe se këto befasi do t’i paraqesin shumë shpejt. Zëvendësdrejtori, Alban Hamza, tha: “Është herët të procesojmë gjithë atë që kemi arritur. Natën që kaluam kemi marrë shumë feedback, shumica kanë qenë pozitivë. Po mundohemi të ruajmë standardin, asnjëherë nuk kemi opsion të biem nën standard. Faleminderit Telegrafit, bashkë kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë gjithë periudhës. Kur ke në krah një partner medial siç është Telegrafi, sigurisht gjithçka shkon më lehtë”. Edicioni u mbyll me një performancë fantastike nga Edona Reshitaj. /Telegrafi/ - YouTube youtu.be