Pas ndalimit të prodhimit, Lladrovci: Drenasi ndien peshën e krizës në “Ferronikel”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur shqetësimin dhe solidaritetin e tij me punëtorët e kompanisë “Ferronikeli”, pas vendimit të menaxhmentit për largimin e qindra punonjësve si pasojë e ndërprerjes së prodhimit. Në reagimin e tij, Lladrovci thekson se komuna është në dijeni për vështirësitë e shfaqura në kompleksin industrial “Ferronikeli” dhe për faktin që prodhimi është ndalur që nga tetori i vitit 2023, duke shtuar se kompania është detyruar të ndërmarrë këtë hap në përputhje me Ligjin e Punës, përcjell Telegrafi. “Në emër të Komunës së Drenasit, shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe solidaritet të plotë me të gjithë punëtorët e prekur nga ky vendim. Uroj që kushtet e tregut të përmirësohen sa më parë, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i prodhimit dhe ripunësimi i punëtorëve të larguar”, ka deklaruar Lladrovci. Ai ka kujtuar se “Ferronikeli” ndër vite ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë të ekonomisë kosovare, veçanërisht në rritjen e eksportit të vendit, dhe ka shprehur shpresën që gjiganti industrial të rifitojë vitalitetin e tij. “Shpresojmë që ‘Ferronikeli’ të rikthehet sa më shpejt në punë dhe të vazhdojë të mbetet një shtyllë e fortë e zhvillimit ekonomik të Drenasit dhe Kosovës”, ka shtuar Lladrovci. / Telegrafi /