OJQ “LIZA-R” fton të rinjtë dhe gratë e Kamenicës në trajnim për zhvillim të ndërmarrësisë dhe hartim projektesh

Organizata LIZA-R, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Komuna e Kamenicës, ka hapur thirrjen publike për pjesëmarrje në trajnim që synon ngritjen e kapaciteteve të të rinjve, grave dhe bizneseve të reja (start-up). Trajnimi do të mbahet më 19 nëntor 2025, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Kamenicës, duke filluar nga ora 10:00 deri në 16:00. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë njohuri praktike në: zhvillimin e ideve të reja të biznesit, hartimin e projekteve dhe planeve të qëndrueshme të biznesit, menaxhimin financiar dhe planifikimin strategjik, si dhe identifikimin e mundësive për financim dhe bashkëpunim lokal, përcjell Telegrafi. Trajnimi do të udhëhiqet nga ekspertë të fushës së ndërmarrësisë, përmes metodave interaktive dhe punës praktike në grupe. Në trajnim mund të aplikojnë vetëm personat rezidentë të Komunës së Kamenicës, ndërsa numri i pjesëmarrësve është i kufizuar në 30 persona. Aplikimet mund të bëhen përmes inbox-it të faqes zyrtare të OJQ LIZA-R ose në Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Kamenicës. Ky aktivitet është pjesë e bashkëpunimit ndërmjet OJQ “LIZA-R” dhe Komunës së Kamenicës, me qëllim të zhvillimit ekonomik lokal dhe rritjes së punësimit përmes fuqizimit të të rinjve dhe grave ndërmarrëse. / Telegrafi /