Prokuroria interviston një person të afërt me serbin e rrëmbyer në Leposaviq

Serbi nga Leposaviqi, Millan Vukashinoviq për të cilin Policia e Kosovës njoftoi më 3 nëntor se dyshohej se ishte plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit, punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në vendkalimin kufitar në Jarinje. Lidhur me këtë rast, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është konfirmuar se hetimet janë në zhvillim. “Mund të konfirmojmë që është intervistuar një person i afërt me viktimën. Rasti është duke u hetuar në koordinim me Policinë e Kosovës. Në këtë fazë këto janë të dhënat që mund t’i ndajmë me ju”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni për Telegrafin. Ndërkohë, avokati Ivan Niniq, që përfaqëson Draganën Vukashinoviq – nënën e Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi – ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple të Serbisë për veprën penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”. Sipas kallëzimit, ai është ngritur kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe ndaj Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. Incidenti dyshohet të ketë ndodhur më 1 nëntor në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, ku, sipas avokatit Niniq, Millan Vukashinoviq është plagosur nga persona të maskuar dhe më pas është dërguar fillimisht në spitalin e Prokuples e më pas në Qendrën Klinike të Nishit.