Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Roberto Firmino, ka zbuluar se ka pasur dy mundësi për t’u bashkuar me Real Madridin, por zgjodhi të mos e ndiqte këtë lëvizje, duke pranuar se nuk ishte ndër prioritetet kryesore të klubit spanjoll. Duke folur për TNT Sports Brasil, 34-vjeçari konfirmoi interesimin e Real Madridit si në vitin 2023, kur u largua nga Liverpool për t’u transferuar te Al-Ahli, ashtu edhe më së fundmi në vitin 2025. “Sigurisht që kishte interes nga Real Madridi. Për të qenë i sinqertë, kishte interes. Agjencia ime më njoftoi për këtë. Dhe po, ishte diçka e kohëve të fundit, përsëri, kohët e fundit, por jo si më parë, e di, kur kishte atë ofertë për të shkuar në Arabinë Saudite”, ka thënë fillimisht Firmino. Braziliani pranoi se interesimi i Madridit në vitin 2023 ishte më konkret, por ai e refuzoi pasi kuptoi se nuk do të ishte përforcim prioritar për klubin. “Atëherë kishte interes real nga Madridi. Por kishte shumë faktorë. Nuk isha as opsioni i parë e as i dyti, ndaj do të më duhej të prisja goxha. Jo se jam i paduruar, por do të më duhej të prisja, e kupton?”. Roberto Firmino Në fund, Firmino pranoi ofertën e Al-Ahlit, me të cilin fitoi Ligën e Kampionëve të Azisë, përpara se të transferohej më pas te Al Sadd në Katar. “Pastaj erdhi oferta nga Al-Ahli, dhe unë u luta e mendova nëse ishte vërtet gjëja e duhur. Kështu ndodhi, shkova në Arabi, dhe besoj se qëllimi u përmbush atje. Mendoj se kështu ishte e shkruar”. Megjithatë, Firmino pranoi se refuzimi i Real Madridit nuk ishte një vendim i lehtë. “Sigurisht, Real Madridi është një klub gjigant. Do të kishte qenë një nder dhe kënaqësi e madhe të luaja për Real Madridin”, përfundoi ai./ Telegrafi /