Pak pas orës nëntë të mbrëmjes së së hënës, Granit Xhaka shënoi golin e tij të parë me fanellën e Sunderlandit dhe e festoi me një rrëshqitje në gjunjë përpara tribunave të mbushura të “Stadium of Light”. Të nesërmen në mëngjes, Xhaka ishte sërish në qendrën stërvitore duke folur për atë gol që i dha Sunderlandit një barazim ndaj Evertonit dhe e ngjiti skuadrën në vendin e katërt të Ligës Premier. “Jam gjithmonë me kohë – është diçka që më karakterizon”. Sunderland, skuadër e sapo ngjitur në elitë, ka befasuar Anglinë me 18 pikë në 10 ndeshje. Tani e pret sfida më e veçantë: përballja e së shtunës ndaj Arsenalit. Për Xhakën, kjo ndeshje është më shumë se thjesht futboll. Ai e pranon me sinqeritet: “Të gjithë e dinë që Arsenali është në zemrën time. Të jesh shtatë vjet pjesë e atij klubi është diçka e veçantë”. Në një intervistë të qetë te “Academy of Light”, mes hyrjeve të lojtarëve që vinin për stërvitje, ai tregoi se momenti i tij më i preferuar në Sunderland nuk ishte goli, por dita e parë që hyri në klub. Granit Xhaka “E ndjeva menjëherë energjinë pozitive. Këtu duhet të ndihesh si në shtëpi – e ndjeva që në fillim”. Xhaka foli me respekt të madh për Mikel Artetën, trajnerin që i ndryshoi rrjedhën e karrierës kur gjithçka dukej se kishte marrë fund te Arsenali pas incidentit me tifozët në vitin 2019. “Valixhet i kisha gati. Doja të largohesha. Por Mikel më foli hapur dhe më bindi të qëndroja. Çdo fjalë që më tha atë ditë, më pas e ktheu në realitet. Ai më ndryshoi si njeri dhe si lojtar”. “Ishte dita më e keqe e karrierës sime, por në të njëjtën kohë më e mira. Sepse më mësoi shumë për njerëzit, për veten, për jetën”. Granit Xhaka Nëse nuk do të kishte ardhur Arteta, historia mund të ishte ndryshe. Por Xhaka qëndroi, fitoi dy FA Cup, më vonë u transferua te Bayer Leverkusen ku udhëhoqi klubin drejt titullit të parë në Bundesliga dhe sot është kapiten i Sunderlandit, me 141 ndeshje për Zvicrën dhe një vend mes 20 më të mirëve në Top 20 të Topit të Artë 2024. Sot, ai është figurë udhëheqëse në skuadrën e re. Trajneri Regis Le Bris e ka cilësuar “trurin e ekipit në fushë”, ndërsa shokët e quajnë “trajneri i dytë”. Vetë Xhaka ka marrë tashmë licencat UEFA B dhe A, dhe është në rrugën drejt licencës Pro. “Por ende dua të jem lojtar. Të gjithë trajnerët të thonë: qëndro në fushë sa më gjatë që mundesh”. Në statistika, Xhaka renditet në vendet e para për kilometra të përshkuara, pasime përpara dhe ndërprerje aksionesh. Por përtej numrave, është prania e tij që ndjehet. Granit Xhaka dhe Olivier Giroud “Pas 10 ndeshjesh, askush nuk ka fituar apo humbur asgjë. Të shohim ku do të jemi pas 38 javësh”. “Të jesh lider do të thotë të jesh vetvetja, jo të tregosh se je kapiten. Sjellja jote në fushë dhe në dhomën e zhveshjes tregon gjithçka.” Të shtunën, kur Arsenali të rikthehet në “Stadium of Light” për herë të parë që nga viti 2016, përballë do ta ketë sërish një figurë të njohur – por tashmë në një fanellë tjetër./ Telegrafi