Puna e madhe më në fund i shpërblehet, Napoli vendos t’ia rris pagën Amir Rrahmanit

Qendërmbrojtësi Amir Rrahmani është shumë pranë rinovimit të kontratës me Napolin. Mbrojtësi kosovar pritet të kalojë nga paga aktuale prej 2.5 milionë eurosh në rreth 4 milionë euro në sezon. Marrëveshja e re do të vlejë deri më 30 qershor 2028, megjithëse ende nuk dihet nëse do të përfshijë opsion për zgjatje. Fillimisht ishte menduar një rinovim deri në vitin 2029, por duke qenë se Rrahmani tashmë është 31 vjeç, klubi preferon një afat më të afërt. Pas një periudhe mungese për shkak lëndimi, kapiteni i Kosovës u rikthye në fushë në ndeshjen ndaj Comos. Amir Rrahmani “Kundër këtyre skuadrave duhet të vraposh shumë. Nuk arritëm të fitojmë, por as nuk humbëm – kur nuk mund të fitosh, nuk duhet të humbasësh. Ishte shumë e vështirë për mua, pas dy muajsh mungesë humbet ritmin. Vrapimet, duelet… ishte e lodhshme, por jam i lumtur që u ktheva”. Pas Rrahmanit, Napoli pritet të vazhdojë me rinovimet e tjera. Kapiteni Giovanni Di Lorenzo, Matteo Politano dhe Frank Anguissa janë gjithashtu në listë për përmirësime kontratash, si shpërblim për paraqitjet e tyre të mira gjatë periudhës nën drejtimin e Antonio Contes. Megjithatë, Amir Rrahmani është i pari në radhë — rinovimi i tij është pothuajse gati./ Telegrafi /