Milani po e konsideron transferimin e top sulmuesit argjentinas gjatë janarit

Sipas Corriere dello Sport , Milan po konsideron një lëvizje për sulmuesin e Strasbourg, Joaquin Panichelli, si pjesë e planit për rinovimin e repartit ofensiv gjatë afatit kalimtar të janarit. ‘Rossonerët’, të cilët aktualisht ndajnë vendin e dytë në Serie A me Interin dhe Romën, synojnë të përforcojnë skuadrën e Massimiliano Allegrit me dy ose tre transferime gjatë dimrit. Sulmi mbetet një nga shqetësimet kryesore të klubit. Santiago Gimenez dhe Christopher Nkunku janë ende në kërkim të golit të tyre të parë në Serie A, pavarësisht investimit të madh të bërë nga klubi, 30 milionë euro për Gimenez në janarin e kaluar dhe 40 milionë euro për Nkunku në gusht. Nëse forma e tyre nuk përmirësohet në javët në vijim, Milan është i gatshëm të ndërhyjë. Në listën e shkurtër të kandidatëve ndodhet Joaquin Panichelli, 22 vjeç, i cili ka shkëlqyer në Ligue 1 me 9 gola në 11 ndeshje për Strasbourg. Joaquin Panichelli Performancat e sulmuesit argjentinas kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane, ndërsa Milan e ndjek që nga koha kur ai ishte pjesë e River Plate. Pas rikuperimit nga një dëmtim i rëndë në gju, që e pësoi gjatë kohës së tij te Alaves në vitin 2023, Panichelli rifitoi ndjesinë e golit, duke siguruar një transferim prej 17 milionë eurosh drejt Francës verën e kaluar. Panichelli përshtatet plotësisht me profilin që kërkon Milani – një sulmues i ri, me potencial të lartë zhvillimi nën drejtimin e Allegrit. Megjithatë, ai nuk është e vetmja alternativë që po vlerësohet, pasi edhe Artem Dovbyk i Romës mbetet në radar, por argjentinasi konsiderohet një nga talentet më premtues të ligave kryesore evropiane këtë sezon./ Telegrafi /