SHBA-ja ndalon përdorimin e dronëve kinezë DJI

Qeveria amerikane po konsideron një ndalim të plotë ose pjesor të dronëve të kompanisë kineze DJI, një prej markave më të njohura dhe më të shitura të pajisjeve pa pilot në botë. Sipas portalit CNET, Federal Communications Commission (FCC) dhe agjenci të tjera amerikane aktualisht vlerësojnë nëse produktet e DJI-së përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare. Fokus janë të dhënat që këta dronë mbledhin dhe mundësia që ato të jenë në dispozicion të qeverisë kineze. Kongresi amerikan tashmë ka miratuar një ligj që i jep mundësinë të ndalojë importin dhe shitjen e pajisjeve të prodhuesve të cilët janë të etiketuar si “rrezik”. Nëse DJI përfshihet në listën e ashtuquajtur “Covered List”, do t’i ndalohet kompanisë shitja e modele të reja dronësh në SHBA. Po ashtu, autoritetet amerikane po shqyrtojnë një ndalim të veçantë për ruterët e kompanisë TP‑Link, duke përmendur të njëjtat arsye. Afati për marrjen e vendimit përfundimtar është data 23 dhjetor 2025. Deri atëherë pritet të kryhet një analizë e detajuar e sigurisë. Kompania DJI deklaron se është e gatshme për bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe se produktet e saj nuk rrezikojnë sigurinë e përdoruesve. Gjithashtu, thekson se deri tani nuk është zhvilluar asnjë hetim zyrtar kundër saj. Për sa i përket përdoruesve aktualë në SHBA, ata nuk do të preken për momentin, pasi ndalimi do të përfshijë vetëm importin dhe shitjen e pajisjeve të reja. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një vendim i tillë mund të trondit tregun dhe të çojë në rritje çmimesh. Në këtë moment, DJI mban më shumë se 70 për qind të sektorit global të dronëve, dhe shumë organizata profesionale dhe rekreative në mbarë botën varen nga modelet e tyre. Për këtë arsye, një ndalim në SHBA mund të ketë pasoja të mëdha globale. /Telegrafi/