Pas katër xhirove të para të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, është bërë e qartë se klubet nga La Liga nuk po arrijnë të tregojnë fuqinë që i ka karakterizuar në dekadën e fundit. Performanca e tyre ka qenë e zbehtë — dhe në disa raste, shqetësuese. Nëse zakonisht ishim mësuar t’i shohim ekipet spanjolle duke dominuar Evropën, këtë herë situata duket ndryshe. Përballjet kundër skuadrave nga Liga Premier kanë nxjerrë në pah një hendek të dukshëm në cilësi dhe efikasitet. Me përjashtim të fitores së Barcelonës ndaj Newcastle United në xhiron e parë, pothuajse të gjitha duelet kanë përfunduar me humbje për spanjollët. Xhiro 1 Në ndeshjet hapëse, Arsenali mposhti Athletic Bilbaon 2-0 në “San Mamés”, Liverpooli fitoi 3-2 ndaj Atletico Madridit, ndërsa Tottenhami mposhti Villarrealin 1-0, duke bërë që klubet angleze të shënonin tri fitore në tri ndeshje kundër spanjollëve. Vetëm Barcelona arriti të reagojë, duke fituar 2-1 ndaj Newcastle në transfertë, ndërsa Real Madridi mposhti Marseille 2-1 në “Bernabéu”. Xhiro 2 Këtë herë shkëlqyen vetëm klubet madrilene. Real Madridi fitoi me rezultat bindës 5-0 ndaj debutuesve të Kairatit, ndërsa Atletico Madridi triumfoi 5-1 ndaj Frankfurtit. Ndërkohë, Villarreali barazoi 2-2 me Juventusin, Barcelona humbi në shtëpi 2-1 nga PSG, dhe Athletic Bilbao pësoi disfatë të rëndë 4-1 në Gjermani kundër Borussia Dortmundit. Xhiro 3 Barcelona reagoi fuqishëm me një fitore 6-1 ndaj Olympiacos, por Atletico Madridi pësoi humbje të rëndë 4-0 në Londër nga Arsenali. Villarreali humbi 2-0 në shtëpi nga Manchester City, ndërsa Real Madridi fitoi 1-0 ndaj Juventusit, e Athletic Bilbao mposhti Qarabagun 3-1 në “San Mamés”. Xhiro 4 Performanca e klubeve spanjolle u përkeqësua sërish. Real Madridi u mposht nga Liverpooli 1-0, Barcelona nuk arriti të fitonte ndaj Club Brugge (3-3), Athletic Bilbaon u mund 2-0 në shtëpi nga Newcastle, ndërsa Villarreali pësoi një humbje të befasishme 1-0 ndaj debutuesve të Pafosit nga Qipro. I vetmi ekip spanjoll që fitoi ishte Atletico Madridi, që mundi Union Saint-Gilloise 3-1 në Madrid. Pas katër xhirove, Real Madridi është i vetmi përfaqësues spanjoll në top 8 të renditjes së Ligës së Kampionëve, ndërsa Villarreali renditet i 32-ti, në fundin e tabelës. Nëse klubet nga La Liga nuk ndryshojnë ritëm, Spanja rrezikon ta përfundojë këtë sezon evropian më keq se çdo herë tjetër në dekadën e fundit — diçka që dikur dukej e pamundur. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore