Shkëndija e Tetovës sonte do të përballet me polakët e Jagiellonia në kuadër të javës së tretë të Ligës së Konferencës. Ndeshja luhet në stadiumin Arena “Todor Proeksi me fillim në ora 21:00, ndërsa kjo është paraqitja e dytë e kuqezinjve nga Tetova si nikoqir në kuadër të fazës së grupeve të garave evropiane, njofton Telegrafi. Shkëndija tani më ka një fitore, pasi në javën e dytë arriti të fitojë irlandezët e Shelbourne duke i mundur ata me rezultat të ngushtë 1-0, ndërsa në javën e parë u mundën nga Rayo Vallecano në Madrid me rezultatin 2-0. Shkëndija ka tri pikë të grumbulluara dhe në renditje është e 20-ta, ndërsa Jagiellonia me 4 pikë mban pozitën e dhjetë. Drejtësinë në ndeshjen mes Shkëndijës dhe Jagiellonias do ta ndajë një ekip arbitrash nga Hungaria. Kryesor do të jetë Mihaly Kapraly, ndërsa atij do t’i asistojnë Istvan Albert dhe Gergo Vigh-Tarsonyi. Gjyqtar i katërt është caktuar Marcell Derdak. Për drejtësinë në sistemin VAR do të kujdesen Tamas Bognar dhe Ferenc Karako. Trajneri Jeton Beqiri për këtë ndeshje ka vendosur të luajë në portë me Gaye, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Trumci, Fetai, Cake dhe Webster. Në mesfushë para mbrojtjes luajnë, Ramadani dhe Alhassan, ndërsa Spahiu, Zejnullai dhe Latifi janë në vijën para sulmuesit Tamba i cili do të jetë vetëm në sulm. Në anën tjetër, te Jagiellonia trajneri Adrian Siemieniec në sulm ka zgjedhur të luajë me lojtarin Prip, Pululu dhe Pietuszewski. K F Shkëndija : Gaye, Trumçi, Fetai, Cake, Webster, Ramadani, Alhassan, Zejnullai, Spahiu, Latifi dhe Tamba. Jagiellonia: Piekutowski, Wojtuszek, Stojinoviç, Vital, Wdowik, Flach, Romanczuk, Drachal, Pietuszewski, Pululu dhe Prip. /Telegrafi/