Borxhi evropian shqetëson Bundesbank - rrezik për stabilitetin financiar gjerman

Banka Qendrore Gjermane shqetësohet për nivelet gjithnjë e më të larta të borxhit në Evropë dhe rrezikun që ato paraqesin për stabilitetin financiar gjerman. Pjesët e larta të borxhit publik në raport me PBB-në në Evropë, me një trend rritës, paraqesin një rrezik, vlerësojnë në Bundesbank, duke shtuar se shpenzimet publike më të mëdha dhe barra e interesit dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit të disa vendeve. Sistemi financiar gjerman është thellësisht i integruar me atë evropian, dhe duke pasur parasysh lidhjen kyçe midis shtetit dhe bankave, kjo mund të paraqesë një rrezik të rëndësishëm për stabilitetin e tij, shpjegon anëtari i bordit ekzekutiv të Bundesbank, Michael Theurer. Rregulloret fiskale gjermane janë përforcuar kohët e fundit, por ato nuk garantojnë qëndrueshmëri afatgjatë dhe as pajtueshmëri me rregulloret fiskale të BE-së, gjë që mund të kërkojë në mes afati përmirësime të politikës fiskale, shtoi zyrtari i Bundesbank. Midis rreziqeve, banka qendrore nxjerr në pah edhe rrezikun për cilësinë e portofolit të bankave gjermane në një mjedis tepër të pasigurt, shkruan derspiegel . Vëllimi i kredive të pa-shlyera po rritet prej një kohe, kryesisht për shkak të problemeve në sektorin e pronave komerciale. Bankat duhet të bëjnë më shumë përshtatje të vlerës së portofolit të tyre kreditor, megjithëse thonë se detyrimet kreditorë të papaguara janë ende “brenda kufijve të mundshëm për t’u menaxhuar”. Vlerësimin e mjedisit makrofinanciar të përkeqësuar këtë vit, Bundesbank e mbështet edhe në pasigurinë në tregti dhe ekonomi, si dhe tensionet gjeopolitike të qëndrueshme. Dobësia ekonomike prek pjesë të ndryshme të ekonomisë, dhe rreziku rritet nga tarifat doganore, paralajmërojnë ata. “Politika tregtare amerikane e paqëndrueshme dhe proteksioniste ngarkon ekonominë globale, dhe jo vetëm industrinë gjermane të orientuar drejt eksportit”, tha anëtari i bordit të Bundesbank, Michael Theurer. “Sektori korporativ gjerman po përballet gjithashtu me sfida strukturore gjithnjë e më të mëdha”, paralajmëron zyrtari i bankës qendrore gjermane. Problemi, sipas ekonomistëve, është se Evropa duhet të arrijë një rritje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë për të bërë borxhin më të qëndrueshëm. Aktualisht, rritja e saj potenciale ka ngecur në nivele rreth 1,3–1,4 për qind në vit, vëren agjencia reuters. Ekonomia gjermane ka ngecur më shumë ose më pak në vend për dy vjet dhe pritet që edhe në vitin 2025 rritja të jetë e vogël. /Telegrafi/