Ardhja e Luciano Spallettit në krye të Juventusit ka shënuar një pikë kthese edhe për Weston McKennien. Mesfushori amerikan, i cili vetëm një vit më parë dukej i panevojshëm për skuadrën, tani është shndërruar në një element kyç të projektit të bardhezinjve në Serie A. Kur McKennie u la jashtë planeve nga ish-trajneri Thiago Motta gjatë verës së vitit 2024, pak vetë do ta kishin menduar se ai do të rikthehej si titullar i rregullt te Juventus. Fillimisht ai u përjashtua nga skuadra, por më pas u riintegrua dhe u pranua sërish si pjesë e grupit. Kontrata e tij skadon në vitin 2026, gjë që kishte ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij. Megjithatë, me ardhjen e Luciano Spallettit pas shkarkimit të Igor Tudorit, gjithçka ndryshoi. Sipas Corriere dello Sport , trajneri i ri u impresionua nga shkathtësia dhe përkushtimi i amerikanit, duke kërkuar personalisht nga drejtuesit Modesto, Comolli dhe Chiellini që të nisin procedurat për rinovimin e kontratës së tij. Weston McKennie Ky vlerësim është njëkohësisht simbolik dhe strategjik. McKennie ka kaluar nga një lojtar i lënë në hije në një figurë që gëzon besimin e plotë të trajnerit në mesfushën bardhezi. Weston McKennie zotëron cilësi që përputhen në mënyrë perfekte me filozofinë e lojës që Luciano Spalletti synon të zbatojë. Aftësia e tij për t’u përshtatur në disa pozicione,, si mesfushor qendror, anësor apo edhe mbrojtës krahu, i jep vlerë të shtuar një skuadre që kërkon ekuilibër dhe dinamizëm. Juventusi synon të rikthehet në garën për titullin në Serie A dhe McKennie po del si një nga pikat më të forta në këtë mision. Gjithashtu, klubi ka vlerësuar profesionalizmin dhe vendosmërinë e tij, pasi gjatë verës së kaluar ai refuzoi çdo ofertë për t’u larguar dhe vendosi të qëndronte për të luftuar për vendin e tij në ekip./ Telegrafi /