Ekipi i Shkëndijës humbi një mundësi të madhe për një fitore të re evropiane. Kampioni i Maqedonisë së Veriut, pësoi gol nga Jagiellonia në sekondat e fundit dhe barazoi në fushën vendase (1–1) në përballjen e tretë evropiane, Njofton Telegrafi. Sa i përket ndeshjes në Arenën “Todor Proeski”, pjesa e parë nuk solli shumë emocione. Të dy ekipet u treguan të kujdesshme, duke pasur vetëm nga një rast. Jagiellonia kishte të vetmen gjuajtje në kuadër, ndërsa për Shkëndijën rrezikoi Latifi. Ndodhi edhe një lëndim serioz, kur pas një përplasjeje Zejnullai përfundoi në tokë dhe duhej të zëvendësohej. Në fillim të pjesës së dytë, nga një goditje standarde, kampioni maqedonas kaloi në avantazh. Pas një goditjeje këndi të Ronaldo Webster, më i larti në kërcim në zonën kundërshtare ishte Liridon Latifi, i cili realizoi me kokë për gëzim të madh të kuqe-zinjve. Më pas, Jagiellonia freskoi skuadrën me disa zëvendësime, duke futur në lojë tre futbollistë të rinj – Imaz, Pozo dhe Lozano. Kjo solli më shumë iniciativë para portës së Shkëndijës, por mbrojtja tetovare ishte mirë e organizuar dhe i bllokoi të gjitha përpjekjet, duke larguar topat në aut ose në goditje këndi. Më vonë, trajneri Beqiri futi në lojë golashënuesin më të mirë në futbollin vendor, Besart Ibraimin, i cili në minutën e 79-të pati një rast shumë të mirë për golin e dytë, por përballë tij u tregua i sigurt portieri Pjekutovski, që e devijoi topin në anë. Në tre ndeshjet e ardhshme, tetovarët do të luajnë kundër Dritës dhe AEK Larnakës në udhëtim, ndërsa në shtëpi do të presin Slovan Bratislavën. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore