Një ngjarje e paprecedent ka goditur sportin e Kosovës. Tre taekwondistë të rinj, pjesë e ekipit zyrtar Team Kosova, kanë kaluar natën në recepsionin e një hoteli në Kinë, pa dhoma, pa mbështetje dhe pa kushte elementare, ndërkohë që përfaqësonin shtetin në Kampionatin Botëror dhe Grand Slam Challenge . Në mesin e tyre ishte edhe Mal Sahiti, sportist në kategorinë -74 kg, i njohur për përfaqësimet e shumta ndërkombëtare. Pamjet që tregojnë sportistët me çanta në dysheme e trupat e lodhur në kolltuqe kanë shkaktuar tronditje e zemërim në opinionin publik. Sipas prindërve dhe burimeve nga Federata, mosmarrëveshjet mes drejtuesve të Federatës së Taekwondo-së së Kosovës (FTWK) dhe personave pa mandat ligjor çuan në këtë situatë absurde, ku sportistët mbetën pa dhoma në hotelin zyrtar të garës. Ish-kryetari Arsim Agushi dhe bashkëpunëtorja e tij Rilinda Gjonbalaj akuzohen se kanë refuzuar të paguajnë për akomodimin e sportistëve, pavarësisht urdhrit të qartë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në reagimin e tij, Ministri i Sportit u shpreh se “asnjë sportist i Kosovës nuk duhet të mbetet rrugëve”, duke garantuar trajtim të menjëhershëm të rastit dhe hetim institucional. Pavarësisht kësaj përvoje të dhimbshme, sportistët treguan forcë të jashtëzakonshme. Jon Gashi arriti vendin e pestw në Grand Slam Challenge, rezultati më i lartë në historinë e taekwondosë kosovare, ndërsa Mal Sahiti u ngjit në vendin e 36-të në ranglistën botërore, duke bërë historinë për Kosovën./ Telegrafi /