Skuadra e Dritës ka bërë një hap të madh drejt historisë, duke triumfuar në udhëtim ndaj Shelbourne në Irlandë me rezultat 0-1. Tani kampionët e Kosovës i pret një përballje e zjarrtë, pasi në ndeshjen e radhës do të përballen me kampionët e Maqedonisë së Veriut, Shkëndijën e Tetovës, në një duel që mund të vendosë fatin e kualifikimit për në fazën “knockout”. Golin vendimtar për Dritën e shënoi Aizeraj në minutën e 57-të. Nën drejtimin e trajnerit shkupjan Zekirija Ramadani, Drita ka grumbulluar 5 pikë, ndërsa Shkëndija vjen me 4 pikë dhe ëndërron gjithashtu “pranverën evropiane”. Sipas analizave dhe llogarive të ekspertëve, 7 pikë mund të jenë të mjaftueshme për të siguruar kalimin në fazën tjetër. Kështu që, kushdo që del fitues nga kjo përballje, ka shumë gjasa të jetë një nga pjesëmarrësit në rundin vijues të garës. Ndeshja midis Dritës dhe Shkëndijës do të zhvillohet më 27 nëntor, në orën 21:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë — vetëm një ditë para Festës Kombëtare të 28 Nëntorit, duke i dhënë kësaj përballjeje shqiptare një emocion dhe simbolikë të veçantë. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore