Shkëndija humb fitoren në sekondat e fundit, por mbetet në garë për fazën “play-off”-it, njofton Telegrafi. Futbollistët e Shkëndijës kanë përjetuar një mbrëmje dramatike në përballjen kundër Jagiellonia në ndeshjen e tretë të UEFA Ligës së Konferencës.Tetovarët ishin në epërsi për pjesën më të madhe të takimit, por pësuan një gol në sekondat e fundit, duke u detyruar të ndahen në barazim 1-1, në “Arenën Todor Proeski” në Shkup. Pas ndeshjes, trajneri i kampionëve të Maqedonisë së Veriut, Jeton Beqiri, nuk e fshehu zhgënjimin: “Është normale të jemi të zhgënjyer, sepse na ndanë vetëm disa sekonda nga tri pikët. Por ky është futbolli, duhet ta pranojmë rezultatin. Ndoshta nuk patëm fat, ndoshta mund të kishim vepruar ndryshe në ato momente të fundit. Nuk ishte mungesë dëshire, por pozicionim jo i mirë. Në ndeshjen e kaluar fituam në sekondat e fundit, këtë herë ndodhi e kundërta. Ishim tre sekonda larg fitores. Jam i kënaqur me ekipin, në pjesën e parë ishim më të kujdesshëm dhe përballë kishim një rival cilësor. Përveç golit që pësuam, Jagiellonia nuk pati asnjë rast serioz, që do të thotë se ishim mirë të organizuar. Gabimi i vetëm mbrojtës na kushtoi golin. Si ne ashtu edhe Drita kemi shanse të barabarta për kualifikim. Ata kanë një pikë më shumë, kështu që gjithçka është 50-50. Jemi ekipe mike dhe pres një ndeshje të bukur në Prishtinë.” Pas tre ndeshjeve, Shkëndija ka katër pikë dhe mbetet plotësisht në garë për një vend në fazën “play-off”-it. Sfida e radhës do të jetë më 27 nëntor në Prishtinë, ku të tetovarët do të përballen me Dritën, vetëm një ditë para Festës së Flamurit, duke i dhënë kësaj ndeshjeje shqiptare një emocion të veçantë. /Telegrafi/