Nga 1 janari 2026, paga minimale në Shqipëri do të rritet nga 400 mijë lekë (rreth 380 euro) në 500 mijë lekë (rreth 475 euro) , një rritje prej 25%, sipas ekspertit të ekonomisë Fatos Çoçoli. Në RTSH në moderimin e Arbër Hitaj, eksperti i ekonomisë theksoi se “kjo do të thotë se nuk do të ketë më deklarime pagash më të ulëta se 500 mijë lekë (rreth 475 euro) në listëpagesat që dorëzohen në tatime.” “Paga minimale do të rritet 25 për qind. Sot është 400 mijë lekë (rreth 380 euro) dhe nga 1 janari bëhet 500 mijë (rreth 475 euro) . Pra, nuk do të ketë më lista të borderove që do t’i dorëzohen tatimeve me pagë më të vogël se 500 mijë lekë (rreth 475 euro) ,” u shpreh Çoçoli. Eksperti theksoi gjithashtu se buxheti i ri 2026 parashikon lekë shtesë për rritjen e përmuajshme të pensioneve, një masë që sipas tij do të ndjehet drejtpërdrejt nga pensionistët çdo muaj. “Unë gjykoj se ky është një veprim i rëndësishëm. Pensionistët do ta ndjejnë çdo muaj kur të marrin pensionin e radhës. Në përgjithësi, rritja ka të bëjë me kontributet që pensionisti i ka dhënë shoqërisë, ndërsa bonusi do të shpërndahet me më shumë para për ata që kanë pensionet më të ulëta,” tha ai. Çoçoli vuri në dukje se Shqipëria qëndron më lart se Kosova sa i përket nivelit të pensioneve. “Kosova është më poshtë nesh, edhe pse qeveria Kurti ka bërë përpjekje të mëdha për t’i rritur pensionet. Ne jemi pak më mirë se Kosova“, theksoi Çoçoli. Në përfundim, eksperti Çoçoli sugjeron se qëndrueshmëria e sistemit të pensioneve në Shqipëri mbetet ende një sfidë afatgjatë që kërkon balancë midis kontribuuesve dhe përfituesve. “Që ne të mund ta konsiderojmë një skemë që mund ta mbajë veten, jemi ende shumë larg. Për të qenë e qëndrueshme, duhet të arrijmë të paktën raportin 1 me 2, pra dy kontribuues që paguajnë sigurimet shoqërore për një përfitues,” nënvizoi ndër të tjera eksperti i ekonomisë.