Alergjitë ushqimore te fëmijët: 8 mite të rrezikshme që prindërit ende i besojnë

Alergjitë ushqimore po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, dhe keqkuptimet rreth tyre mund të jenë të rrezikshme. Është thelbësore të kuptohen rreziqet reale dhe të mbrohet fëmija në kohë Me rritjen e rasteve të alergjive ushqimore, janë shtuar edhe besimet e gabuara për to. Disa mite mund të jenë veçanërisht të rrezikshme, si për shembull besimi se Benadryl është po aq efektiv sa auto-injektori i adrenalinës (EpiPen) për ndalimin e një reaksioni alergjik. Për të mbrojtur fëmijën tuaj, është e rëndësishme të njihni faktet reale rreth alergjive ushqimore. Ja të vërtetat që qëndrojnë pas disa prej miteve më të zakonshme: Miti 1: Alergjitë ushqimore nuk janë aq serioze E vërteta: Alergjitë ushqimore mund të jenë fatale Nuk janë vetëm një irritim i lehtë ndaj ushqimit. - Alergjitë ushqimore mund të shkaktojnë një reagim të rëndë, potencialisht kërcënues për jetën, të quajtur anafilaksi, ku trupi përjeton shok, shpjegon dr. Amanda Li Pratt, specialiste e alergjisë dhe imunologjisë pediatrike në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Duke në Durham, Karolina e Veriut. Gjatë anafilaksisë, tensioni i gjakut bie dhe rrugët e frymëmarrjes ngushtohen, duke e bërë frymëmarrjen të vështirë. Disa fëmijë zhvillojnë skuqje të lëkurës ose puçrra, ndërsa të tjerë ndiejnë nauze dhe vjellin. Nëse nuk trajtohet menjëherë me injeksion epinefrine, mund të jetë fatale, transmeton Telegrafi. Miti 2: Mjafton Benadryl, nuk ka nevojë për EpiPen E vërteta: Antihistaminikët, si difenhidramina (Benadryl), nuk ndalin anafilaksinë. - Epinefrina është “linja e parë e trajtimit”, thekson dr. Christopher Kodispoti, specialist i alergjive dhe imunologjisë në Qendrën Shëndetësore të Universitetit të Teksasit në Houston. Në rast të një reagimi të rëndë, nevojitet epinefrina, zakonisht në formën e një auto-injektori si EpiPen, sepse vepron shpejt duke hapur rrugët e frymëmarrjes, rregulluar tensionin e gjakut dhe ritmin e zemrës, si dhe ulur kruajtjen dhe puçrrat. Antihistaminikët mund të përdoren vetëm si shtesë për simptoma të lehta, si rrjedhje hundësh apo kruarje në gojë, shton ai. Miti 3: Pak ushqim alergjik nuk bën dëm dhe madje mund të ndihmojë trupin të mësohet me të E vërteta: Edhe një sasi shumë e vogël alergjeni mund të shkaktojë anafilaksi. Fëmija duhet të shmangë çdo kontakt me ushqimin përkatës. - Trupi mund ta njohë alergjenin edhe në sasi minimale dhe të reagojë, thekson dr. Kodispoti. Ekspozimi i qëllimshëm ndaj alergjenit duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut, përmes imunoterapisë orale , që konsiston në dhënien graduale të dozave shumë të vogla për të trajnuar sistemin imunitar pa shkaktuar reaksion. Miti 4: Intoleranca ushqimore dhe alergjia ushqimore janë e njëjta gjë E vërteta: Alergjia dhe intoleranca ushqimore janë plotësisht të ndryshme. Intoleranca mund të jetë e pakëndshme, por rrallëherë kërcënuese për jetën. - Alergjia ushqimore është një reagim imunitar ndaj një ushqimi, i ndërmjetësuar nga antitrupa, që mund të çojë në simptoma të rrezikshme për jetën, shpjegon dr. Pratt. Ndërsa intoleranca ushqimore mund, por nuk duhet domosdoshmërisht të përfshijë sistemin imunitar, dhe zakonisht shfaq simptoma më të lehta si probleme gastrointestinale, dhimbje koke ose irritime të lëkurës. Miti 5: Testet për alergjitë ushqimore janë gjithmonë të sakta E vërteta: Testet e lëkurës dhe të gjakut mund të japin rezultate pozitive të rreme . Për diagnostikimin e saktë, standardi i artë është testi oral ushqimor , shpjegon dr. Pratt. Kjo procedurë bëhet nën mbikëqyrje mjekësore: fëmijës i jepen sasi shumë të vogla dhe të kontrolluara të ushqimit të dyshuar, ndërkohë që monitorohet vazhdimisht për çdo shenjë reagimi. Nëse shfaqen simptoma, testi ndërpritet menjëherë dhe aplikohet trajtimi përkatës. Miti 6: Alergjitë ushqimore shfaqen vetëm në fëmijëri E vërteta: Alergjitë mund të zhvillohen në çdo moshë. - Kam diagnostikuar njerëz edhe në moshën 70 apo 80-vjeçare, thekson Kodispoti. Tek të rriturit, alergjitë më të zakonshme janë ndaj peshkut, butakëve, kikirikut dhe frutave të thata. Miti 7: Fëmija do të ketë gjithmonë alergjinë ushqimore E vërteta: Disa fëmijë mund ta kapërcejnë alergjinë me kalimin e kohës. - Rreth 80% e fëmijëve me alergji ndaj vezës ose qumështit e kapërcejnë atë, thotë dr. Pratt. Ndërsa për kikirikët dhe frutat e thata, vetëm 20% e fëmijëve arrijnë ta tejkalojnë. Sa më herët të diagnostikohet alergjia, aq më e madhe është gjasat që ajo të kalojë me kohën. Miti 8: Nëse një përbërës nuk është i listuar në menynë e restorantit, është i sigurt për konsum E vërteta: Jo të gjithë përbërësit përmenden në menu, ndaj duhet pasur kujdes. Gjithmonë pyesni kamerierin ose menaxherin për listën e plotë të përbërësve dhe mënyrën e përgatitjes së ushqimit. - Duhet treguar kujdes ndaj kontaminimit të kryqëzuar gjatë përgatitjes në kuzhinë, paralajmëron Kodispoti. Përfundim Alergjitë ushqimore tek fëmijët janë në rritje. Ato mund të jenë kërcënuese për jetën - mbani gjithmonë me vete epinefrin për çdo rast reagimi. Fëmija mund ta tejkalojë alergjinë me kalimin e kohës, veçanërisht në rastet e alergjisë ndaj qumështit apo vezëve. /Telegrafi/