Ligjëratë sensibilizuese në Pejë për parandalimin e trafikimit me njerëz

Në kuadër të fushatës sensibilizuese “Parandalimi i trafikimit me njerëz”, është mbajtur një ligjëratë informuese me stafin shkollor të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Pejës. Aktiviteti u organizua nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, në bashkëpunim me Zyrtaren për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës, Samka Drançolli. Ligjërata u zhvillua në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës, ku morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe ligjëruesit Lindita Pajaziti, Blerim Seferi dhe Nusret Pepaj, psikiatër dhe anëtar i Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje, përcjell Telegrafi. Qëllimi i kësaj ligjërate ishte rritja e vetëdijes për parandalimin e trafikimit me njerëz, si dhe theksimi i rëndësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga format e shfrytëzimit. Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në nisma që synojnë mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të Pejës. / Telegrafi /