Thierry Henry: Gjiganti i Ligës së Kampionëve nuk mund ta eliminojë Arsenalin ose Bayern Munichun

Thierry Henry ka deklaruar se Barcelona nuk është mjaftueshëm e fortë në mbrojtje për të fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon, duke theksuar se me këtë nivel organizimi nuk mund të eliminojë skuadra si Arsenal apo Bayern Munich. Pas barazimit 3-3 ndaj Club Brugge të mërkurën mbrëma, ku katalanasit u detyruan të riktheheshin tre herë në ndeshje, Barcelona ndodhet aktualisht në vendin e 11-të të tabelës së Ligës së Kampionëve, jashtë zonës që siguron kualifikimin automatik në fazën e 1/16-ve, me edhe katër ndeshje të mbetura. Trajneri Hansi Flick, pas ndeshjes në Belgjikë, insistoi se skuadra e tij nuk do të ndryshojë mënyrën e mbrojtjes. “Sezonin e kaluar, nuk do ta kishim pësuar atë gol të parë. Nuk kemi më të njëjtin besim kur luajmë me kurthin e ofsajdit. Nuk do ta ndryshojmë mënyrën tonë të mbrojtjes,” tha Flick. Mirëpo, Henry në analizën e tij për CBS Sports u shpreh se Barcelona nuk ka asnjë shans kundër skuadrave të nivelit më të lartë nëse vazhdon me këtë pasiguri prapa. “Koordinimi në mbrojtje është shumë i keq. Këtë e pamë në ndeshjen kundër Club Brugge, kundër Paris Saint-Germain, vitin e kaluar kundër Benficas, pastaj në ‘El Clasico’, pastaj kundër Interit”. "Siç e dini, kam luajtur për Arsenal, për Juventus, kam fituar shumë me Barcelonën, dhe më dhemb ta them këtë sepse nuk dua të flas kështu për ish-klubin tim”. “Por duhet thënë siç është – nuk mund të mbrohesh në këtë mënyrë dhe të shpresosh të fitosh duke shënuar tri ose katër gola çdo herë. Në futbollin modern, kjo nuk funksionon më”./ Telegrafi