Javë më parë në fshatin Rakinicë të Podujevës, ushtarë të armatosur të xhandarmërisë serbe kanë kaluar kufirin duke hyrë në territorin e Kosovës. Lajmi është bërë publik të enjten, gjersa lidhur me këtë kanë reaguar liderë të shtetit e njohës të sigurisë në vend. Njohësi i kësaj fushe, Drizan Shala në një postim në Facebook ka thënë se hyrja e ushtrisë dhe policisë së Serbisë paraqet një akt me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal. Sipas tij, edhe pse në sipërfaqe Beogradi e justifikon veprimin si “luftë kundër prerjeve ilegale të pyjeve” apo “ndalim të krimit”, ky model veprimi është i njohur në doktrinën e operacioneve hibride – përdorimi i një problemi real (si krimi ekonomik, prerjet ilegale apo kontrabanda) si mbulesë për lëvizje të organizuara shtetërore, me qëllim të testimit të kufijve të veprimit dhe legjitimimit të veprimeve ushtarake ose policore në territore të ndjeshme. Lexoni t ë plotë postimin e Shalës: Shkelja e vijës administrative nga forcat e rregullta serbe dhe implikimet në sigurinë kombëtare Shkelja e vijës administrative të Kosovës nga forca të rregullta të Ushtrisë së Serbisë dhe Policisë paraqet një akt me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal. Edhe pse në sipërfaqe Beogradi e justifikon veprimin si “luftë kundër prerjeve ilegale të pyjeve” apo “ndalim të krimit”, në thelb kemi të bëjmë me një test të qëllimshëm të reagimit institucional dhe ndërkombëtar të Kosovës — një formë tipike e veprimeve të kontrolluara operacionale, që shërbejnë për të matur tre elementë kyç: qëndrimin e institucioneve tona, kohën e reagimit, dhe nivelin e pranueshmërisë së narrativës serbe në opinionin ndërkombëtar. Ky model veprimi është i njohur në doktrinën e operacioneve hibride – përdorimi i një problemi real (si krimi ekonomik, prerjet ilegale apo kontrabanda) si mbulesë për lëvizje të organizuara shtetërore, me qëllim të testimit të kufijve të veprimit dhe legjitimimit të veprimeve ushtarake ose policore në territore të ndjeshme. Në thelb, Serbia po përdor një incident të brendshëm si platformë për të provokuar një reagim dhe për të ndërtuar justifikimin e një “operacioni special” – model që e kemi parë edhe në fazat e para të agresionit rus ndaj Ukrainës. Një incident i tillë nuk mund të shihet si veprim i izoluar. Ai është pjesë e një strategjie të zgjeruar testuese që kombinon narrativën e sigurisë së brendshme me veprimet e kontrolluara në zonën kufitare, për të matur elasticitetin e Kosovës dhe nivelin e reagimit të partnerëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye, reagimi i institucioneve kosovare duhet të jetë i matur, i bazuar në fakte, por vendimtar në mesazhin politik dhe diplomatik– duke mos lejuar që konceptet e “luftës kundër krimit” të shndërrohen në mekanizma për normalizimin e shkeljeve të integritetit territorial. Në këtë kontekst, testimi i vijës administrative është një test ndaj sovranitetit, dhe mënyra se si Kosova e menaxhon komunikimin, reagimin dhe dokumentimin e incidentit do të përcaktojë edhe kufijtë e tolerancës për veprimet e ardhshme të Serbisë. /Telegrafi/