Lewandowski pret Barcelonën para se të vendosë për të ardhmen

Robert Lewandowski ka bërë të ditur se nuk do të marrë asnjë vendim për të ardhmen e tij derisa të dëgjojë planet që Barcelona ka për të, sulmuesi 37-vjeçar ka konfirmuar këtë të martën, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Club Brugge. Kapiteni i Polonisë është përballur me probleme fizike në fillim të sezonit 2025/26, duke humbur disa ndeshje të rëndësishme, përfshirë edhe ‘El Clasico’ në ‘Santiago Bernabeu’. Deri më tani, Lewandowski ka zhvilluar vetëm 10 paraqitje, me gjithsej 447 minuta në fushë, duke realizuar katër gola në vitin e fundit të kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor 2026. “Nuk kam asnjë nxitim. Më e rëndësishmja do të jetë se si do të ndihem në fund të sezonit. Do të duhet të vendos për jetën time, por për momentin jam i përqendruar te shënimi i golave dhe fitimi i trofeve me skuadrën”, ka thënë Lewandowski për gazetarët. Sipas gazetarit polak Tomasz Wlodarczyk, Lewandowski do të presë ofertën e Barcelonës përpara se të shqyrtojë ndonjë alternativë tjetër. Sulmuesi do të jetë i lirë të negociojë me klube të tjera nga 1 janari 2026, por ai dëshiron fillimisht të dëgjojë çfarë planesh ka klubi katalanas. Barcelona nuk lejon që lojtarët të hyjnë në vitin e fundit të kontratës pa rinovim, por situata e Lewandowskit shihet si përjashtim. Të dyja palët po tregohen të kujdesshme, duke pritur për të vlerësuar formën dhe kontributin e tij gjatë sezonit përpara se të marrin një vendim për të ardhmen. /Telegrafi/