Vdes foshnja njëvjeçare, Spitali i Pejës del me njoftim

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për vdekjen e një fëmije 1.5-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar. Në komunikatën e spitalit thuhet se fëmija ishte pranuar fillimisht më 5 nëntor, rreth orës 22:15, me ankesa për të vjella. Pas trajtimit të ofruar, gjendja e tij ishte stabilizuar, ndaj ishte liruar nga spitali, me rekomandimin për monitorim nga afër dhe kthim për kontroll në rast përkeqësimi, përcjell Telegrafi. Sipas njoftimit, në mëngjesin e datës 6 nëntor, rreth orës 07:00, fëmija është sjellë sërish në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme në frymëmarrje. Ai është trajtuar menjëherë nga ekipi mjekësor me oksigjen dhe terapi mbështetëse, ndërsa ekipi i anesteziologëve ka kryer intubimin për shkak të përkeqësimit të gjendjes. “Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, thuhet në njoftim. Spitali ka bërë të ditur se, në përputhje me procedurat ligjore, ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës në orën 09:13, si dhe organet e tjera kompetente për zhvillimin e hetimeve zyrtare. Në fund të reagimit, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e fëmijës, duke theksuar se mbetet në dispozicion të autoriteteve për çdo sqarim shtesë, në respekt të dhimbjes dhe privatësisë së familjes. / Telegrafi /