Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur ngushëllime për familjen Morina nga fshati Golluboc, pas ngjarjes tragjike ku dy djemtë e kësaj familjeje humbën jetën në një vrasje të dyfishtë. Në telegramin e ngushëllimit, kryetari Kastrati ka theksuar se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur gjithë komunën dhe se institucionet lokale që ai drejton qëndrojnë pranë familjes në këtë moment të vështirë. “Jemi pranë jush me dhimbje dhe solidaritet në këtë moment të vështirë. Urojmë që ta gjeni forcën për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme”, thuhet ndër të tjera në telegramin e kryetarit Kastrati, raporton Telegrafi. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për zbardhjen e plotë të rastit, duke kërkuar që organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë me efikasitet dhe që autorët të përballen me ligjin. Ngjarja tragjike ka ndodhur të enjten në fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër kanë mbetur të vrarë. Policia ka arrestuar tashmë të dyshuarin për këtë vrasje. / Telegrafi /