Personat me sindromën Down përballen me sfida të shumta që nga lindja e tyre. Sipas Mevlude Thaçi nga shoqata Dua Ylberin, përfshirja e tyre në shoqëri mbetet një sfidë serioze, duke filluar që nga institucionet parashkollore e deri te mundësitë për punësim. “Gjithashtu, pranimi, përfshirja dhe punësimi i personave me sinromën down dhe këto janë pika shumë të rëndësishme që pothuajse të gjithë personat me sindromën down kanë sfida jashtëzakonisht të mëdha në pranimin në institucionet qoftë shtetërore apo private” , deklaroi Mevlude Thaçi, punonjëse sociale. Ajo thekson se situata është edhe më e vështirë në zonat rurale, ku mungojnë shërbimet bazë dhe mbështetja e nevojshme. Sipas saj, personat me sindromën Down kanë nevojë për më shumë trajtime profesionale, si seanca logopedike, psikologjike dhe defektologjike, shërbime që, fatkeqësisht, ofrohen shumë rrallë dhe mbeten të paarritshme për shumë familje. “Ata ballafaqohen që nga lindja, zhvillimi i tyre me mungesë të shumë gjërave . Nga pranimi i fëmijëve të vogël me sindromën down nëpër institucione para shkollore, pothuajse nëpër vendet rurale kjo është e pamundur, pranimi nëpër të gjitha institucionet shkollore, jo çdo shkollë plotëson kushtet për të fëmijë me sindrom down, një staf profesional, logoped, defektolog, punëtor social”, tha Mevlude Thaçi, punonjëse sociale. Sipas statistikave botërore, sindromi Down shfaqet përafërsisht tek një në 650 deri në 700 të porsalindur. Në Maqedoni, të dhënat zyrtare janë të kufizuara, por sipas vlerësimeve të shoqatave dhe institucioneve shëndetësore, në vend jetojnë rreth 800 deri në 1.000 persona me sindromën Down. Çdo vit lindin nga 20 deri në 30 fëmijë me këtë gjendje gjenetike, çka është në përputhje me mesataren globale. /Alsat.mk.