Drejtori ekzekutiv i Pinterest, Bill Ready, u ka bërë thirrje qeverive të ndalojnë rrjetet sociale për përdoruesit nën 16 vjeç. Ai është tani një nga të paktët drejtorë ekzekutivë të lartë që bën thirrje për një kufizim të tillë, ndërsa kombet në mbarë botën fillojnë të zbatojnë ose të shqyrtojnë mënyra për të kufizuar kohën e fëmijëve në internet dhe saktësisht se si të verifikohen moshat. Ready tha se fëmijët e sotëm po “jetojnë eksperimentin më të madh social në histori”, pasi atyre u është dhënë “qasje e pafiltruar në platformat e rrjeteve sociale”. Sipas tij, hulumtimet tregojnë dëmin që ka shkaktuar kjo qasje e pafiltruar , me të rinjtë e sotëm që shohin nivele në rritje të depresionit, ankthit dhe aftësive më të ulëta të përqendrimit. Ai tha se platformat nuk dhanë “paraprakisht mendime të mjaftueshme për pasojat” e asaj që mund t’u bënin fëmijëve dhe vlerësoi ndalimin e rrjeteve sociale nga Australia për fëmijët, duke thënë se qeveritë e tjera duhet të ndjekin shembullin e Australisë. Ai vuri në dukje kufizimet dhe udhëzimet që kanë industri si duhani dhe alkooli, duke shkruar se "politika të tilla mund të përmirësojnë dhe ndonjëherë të shpëtojnë jetë". /Telegrafi/