Pse dështimi është i domosdoshëm për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve

Psikologët shpjegojnë pse përvoja e sfidave dhe gabimeve është thelbësore për zhvillimin kognitiv dhe emocional Prindërit do të bënin gjithçka për t’i kursyer fëmijët nga vështirësitë, dështimet dhe situatat e pakëndshme. Por jeta nuk funksionon kështu – këto janë pjesë e rrugëtimit të secilit. Shumë prindër sot përpiqen t’i mbrojnë fëmijët nga çdo dështim. Në vend që t’i lënë të përpiqen dhe të mësojnë nga gabimet - p.sh. të lidhin vetë lidhëset, ata zgjedhin zgjidhjen më të lehtë. Nuk duhet gjykuar kjo qasje, sepse vjen nga qëllime të mira, por është e rëndësishme të kuptohet sa i vlefshëm është dështimi për zhvillimin e fëmijës. Dështimi i vazhdueshëm mund të dëmtojë vetëbesimin, prandaj fëmijët duhet të vendosen në situata që përputhen me aftësitë e tyre. Por edhe e kundërta është e vërtetë, mbrojtja e tepërt dhe shmangia e çdo dështimi është po aq e dëmshme. Në këtë rast, fëmija ose mendon se është i përsosur, ose frikësohet të provojë diçka të re. Lejojeni fëmijën të dështojë Të lejoni fëmijën të provojë dhe të dështojë mund të duket e ashpër, por është thelbësore për t’i ndihmuar ata të bëhen të qëndrueshëm dhe të fortë, shkruan YourTango, përcjell Telegrafi. Fëmijët mësojnë përmes provës dhe gabimit Mendoni për hapat e parë të një fëmije. Ai përpiqet të qëndrojë, bie, ngrihet dhe provon sërish. Me kalimin e kohës mëson të ecë dhe të vrapojë. Po ashtu ndodh edhe me të folurin – kush nuk i kujton fjalët e para të gabuara, por plot kuptim? Dështimi është pjesë e çdo aftësie që fëmijët mësojnë vetë. Punonjësja klinike e licencuar Jeannie Kristerna thekson: “Dështimi është pjesë kyçe e rritjes dhe zhvillimit. Fëmijët duhet të mësojnë se është në rregull të bëjnë gabime, për sa kohë mësojnë prej tyre.” Nëse ndërhyjmë vazhdimisht për t’i kursyer nga vështirësitë, ata mund të rriten me frikë nga dështimi dhe të shmangin sfidat, gjë që i pengon të përballen me jetën reale. Pse disa gjëra i lejojmë t’i mësojnë përmes gabimeve, ndërsa të tjera jo? Sepse e dimë që do të mësojnë të ecin dhe duhet të kemi të njëjtin besim edhe për gjërat e tjera. Në fakt, është thelbësore për zhvillimin e tyre që të kuptojnë se dështimi është i mundshëm dhe nuk është fundi i botës. Ai është një përvojë mësimore që ndihmon zhvillimin e trurit. Mos lejoni që fëmijët të kenë frikë nga dështimi Nëse fëmijëve nuk u lejohet të mësojnë nga dështimi, ata mund të frikësohen aq shumë sa të mos provojnë fare. Çfarë duhet të bëjnë prindërit? Është më e thjeshtë nga sa duket. Lejojini fëmijët të provojnë gjëra që i interesojnë, për aq kohë sa nuk janë të rrezikshme. Riformuloni “dështimin” si një proces mësimi. Mbështetini emocionalisht, inkurajojini të vazhdojnë dhe tregoni krenari për përpjekjen, këmbënguljen dhe guximin e tyre. Kështu rritet një fëmijë që është i gatshëm të ketë sukses. /Telegrafi/