Një metodë e thjeshtë, por shumë efektive, që e bën trajnimin më të lehtë dhe më të suksesshëm Nëse së fundmi keni sjellë një zog në shtëpi, me shumë gjasë po mësoheni me njëri-tjetrin. Kur zogu vjen në një ambient të ri, fillon faza e përshtatjes me mjedisin dhe me pronarin, përkatësisht familjen: edhe pse mësimi i trukeve dhe i të folurit është i mundur që në fazat më të hershme të jetës së zogut, është më mirë që ai fillimisht të mësohet me ambientin e ri – një ose dy javë, përpara se të filloni trajnimin. Gjëja e parë që duhet të bëni pasi ta sillni zogun në shtëpi është të punoni në krijimin e lidhjes mes jush. Ekziston mundësia që zogu të jetë i frikësuar dhe i pasigurt në mjedisin e ri, prandaj ditët e para kushtojuni socializimit të tij. Pjesë e këtij procesi është edhe mësimi i emrit që i keni vendosur. Për ta mësuar zogun të reagojë ndaj emrit të tij, sigurohuni që gjatë kohës së “orëve mësimore” askush të mos kalojë pranë jush, të mos bëhen lëvizje të papritura apo të mos ketë muzikë të fortë dhe shpërqendrime të tjera që mund ta trembin zogun. Në dhomën ku do ta mësoni zogun nuk duhet të jetë i ndezur as televizori dhe as radioja. Të gjitha dritaret duhet të jenë mirë të mbyllura kur zogu është jashtë kafazit, ndërsa të gjitha dyert gjithashtu duhet të jenë të mbyllura, transmeton Telegrafi. shutterstock Mos i filloni “orët mësimore” pa një shpërblim të shijshëm, si copa të vogla frutash të prera apo fara luledielli! Kur t’i përgatisni shpërblimet, shqiptoni qetësisht emrin e zogut dhe menjëherë ofrojini shpërblimin. Përsëriteni të njëjtin veprim disa herë dhe kujdesuni që të zgjasë jo më shumë se 15 minuta. Shpejt do të vini re se zogu do t’ju shikojë herë pas here me pritje për shpërblim, sa herë që shqiptoni emrin e tij. Pasi zogu të fillojë ta ndjekë me vëmendje shqiptimin e emrit dhe marrjen e shpërblimit, mund të jeni të sigurt se ai e ka kuptuar se duhet të reagojë kur e thërrisni me emër. Mënyra më e mirë që zogu ta mësojë shpejt emrin e tij është përsëritja e këtij trajnimi 15-minutësh 3 ose 4 herë në ditë, derisa të jeni të kënaqur me reagimin e tij. Sigurohuni që zogut t’i jepni pushime ndërmjet trajnimeve, në mënyrë që të mos lodhet ose që mësimi të mos i bëhet i mërzitshëm. “Orët mësimore” duhet të jenë të shkurtra dhe argëtuese, sepse kështu japin rezultatet më të shpejta. /Telegrafi/