Një grua ka humbur jetën të shtunën si pasojë e rënies nga Ura e Moglicës në Gjakovë. Lidhur me këtë rast Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” ka dalë me një njoftim për media ku ka dhënë detaje rreth rastit tragjik. “Më datë 21.03.2026, rreth orës 20:15, në Shërbimin e Emergjencës në Spital është sjellë nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare një paciente femër, me shenja jete, në gjendje të rëndë politraume dhe e pavetëdijshme”, ka njoftuar spitali. Tutje, në njoftim përshkruhen edhe ndërhyrjet emergjente të stafit mjekësor. “Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat emergjente sipas protokolleve në fuqi, përfshirë intubimin endotrakeal dhe fillimin e reanimimit kardiopulmonar (RKP). Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit dhe reanimimit të vazhdueshëm, pacientja nuk ka reaguar ndaj terapisë dhe ka ndërruar jetë në orën 21:20”, thuhet tutje në njoftim. Ndërkohë, identifikimi i viktimës është bërë më vonë me ndihmën e policisë. “Rreth orës 22:00, me asistencën e Policisë së Kosovës, është bërë identifikimi i pacientes”, ka njoftuar spitali. Në fund, Spitali “Isa Grezda” ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke e cilësuar rastin si tragjik. Rasti fillimisht ishte trajtuar nga Policia e Kosovës, ndërsa viktima ishte dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor. /Telegrafi/