Sulmuesi i Bayern Munichut, Lennart Karl, ka dhënë një deklaratë më të kujdesshme para përballjes me Real Madridin në Ligën e Kampionëve, pasi më herët kishte shkaktuar reagime të mëdha te tifozët bavarezë duke pranuar se nuk do ta kishte problem të luante një ditë për klubin spanjoll. Deklarata e tij e mëparshme kishte shkaktuar pakënaqësi në një pjesë të tifozëve të Bayern Munichut, me 18-vjeçarin që e kuptoi shpejt reagimin e madh që pasoi. I pyetur për ndeshjen e ardhshme ndaj Real Madridit, Karl zgjodhi një ton më të matur. “Shumë, sigurisht. Është një stadium i mrekullueshëm. Jam thjesht shumë i etur të luaj kundër tyre”, tha ai për gazetarin e Sky Germany, Kerry Hau. Këtë herë, talenti i ri nuk ra në “kurthin” e pyetjeve që mund të rikthenin polemikat, duke shmangur çdo deklaratë që do të ndizte sërish debatet. Ndërkohë, Real Madridi dhe Bayern Munichu do të përballen në kuadër të çerekfinales së Ligës të Kampionëve, me “bavarezzët” që vlerësohen si favorit falë formës fantastike që po kalojnë./ Telegrafi/