Kriza e naftës, Ymeri: Heqja e akcizës nuk është zgjidhje afatgjatë - duhet strategji

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka ngritur shqetësime për çmimin e naftës në Kosovë, duke kërkuar masa konkrete nga institucionet për menaxhimin e situatës dhe zbutjen e ndikimit tek qytetarët dhe bizneset. Në një reagim publik, Ymeri theksoi nevojën për një plan të qartë sa i përket rezervave të naftës në vend. “Duhet të ketë një plan të mirëfilltë të shqyrtimi të rezervave të naftës, jo vetëm shtetërore por edhe private. Pra, të diskutohet me naftarë sa mund të merr edhe të mbaj naftë Kosova”, ka shkruar Ymeri. Ajo ngriti edhe shqetësimin për mungesë të mundshme të furnizimit në rast krizash. “Si do ja bëjmë si shtet kur çmimi rritet deri 2-3 fish më shumë se kaq, por edhe nëse nuk ka Kosova për 2 javë naftë import, si ja del?”, u shpreh ajo. Deputetja propozon që të shqyrtohet subvencionimi i naftës për sektorë kyç, në mënyrë që të mos rriten çmimet për qytetarët. “Duhet të shikohet mundësia e subvencionimit të naftës për transport publik që çmimi i biletave mos të rritet”, ka shkruar Ymeri. Sipas saj, mbështetja duhet të përfshijë edhe bujqësinë dhe sektorin energjetik. “Nafta për bujqësi, nafta për KEK shembull e kategoritë kyçe biznesore ashtu që të mos ketë rritje të çmimit të produkteve tona përveç nga importi”, u shpreh ajo. Ymeri theksoi se heqja e akcizës dhe TVSH-së nuk është zgjidhje e menjëhershme dhe duhet të shihet si masë e fundit. “Lirimi nga akciza dhe TVSH-ja nuk mund të bëhet me një mbledhje qeveritare... është mundësia e fundit e cila pa plan efektiv nuk është zgjidhje”, tha deputetja. Ajo paralajmëroi edhe për skenarë më të rëndë. “Çfarë ndodh kur litri bëhet 3 euro? Nuk ka as akcizë as TVSH për t’u liruar”, theksoi Ymeri. Në fund, deputetja kërkoi më shumë angazhim institucional, duke përmendur edhe ministren Mimoza Kusari-Lila. “Pritet më shumë prej ministres Kusari... përvoja edhe dijenia duhet të reflektohet përtej çmimeve tavan që po shihet se s’janë zgjidhje”, tha ajo. Ymeri bëri të ditur se do të zhvillojë diskutime edhe me përfaqësues të industrisë së naftës për të gjetur zgjidhje afatgjata, në një kohë kur çmimet e derivateve mbeten një nga shqetësimet kryesore për qytetarët në Kosovë. /Telegrafi/