Kapiteni i Manchester City, Bernardo Silva, foli pas fitores 2-0 të skuadrës së tij ndaj Arsenal në finalen e EFL Cup në Wembley, duke vlerësuar qetësinë e ekipit dhe reagimin e fortë në pjesën e dytë. Portugezi i dha merita të mëdha ekipit, duke nisur nga portieri, James Trafford, që bëri pritje të madhe. “15 minutat e para ishin të vështira, Arsenal krijoi një rast të madh, ku James Trafford bëri një pritje fantastike për ne. Në pjesën e dytë vendosëm të shkojmë më shumë drejt tyre. Ndjemë që ata humbën pak energji dhe ne e shfrytëzuam këtë moment. Nico O’Reilly është shumë i mirë në zonë për të shfrytëzuar këto situata. Kishim fat të shënonim golin e parë, dhe kur jemi në avantazh, gjejmë hapësirat”, deklaroi Silva. Ai shtoi se në një finale të tillë, të dyja ekipet kanë momentet e tyre. Në nivel individual, Silva theksoi përkushtimin e tij ndaj rolit në skuadër. “Arsenal ishte dominues në 10-15 minutat e para. Ne luftojmë së bashku për ta bërë këtë moment sa më të shkurtër. Ne kemi fuqi sulmuese për të reaguar dhe për të marrë kontrollin e ndeshjes”. “Përpiqem të ndihmoj ekipin sa më shumë që mundem. E di si dëshiron trajneri të luajmë dhe gjithmonë jap maksimumin. Të mundësh këtë skuadër nuk është e lehtë, janë një ekip fantastik”, deklaroi portugezi. Kjo fitore e Man City në EFL Cup tregon forcën dhe përgatitjen e ekipit nën drejtimin e Pep Guardiolës, duke i dhënë edhe më shumë besim për fazat e tjera të sezonit. /Telegrafi/