Një rast tragjik ka ndodhur mbrëmë në fashtin Majac të Podujevës, ku një person ka mbetur i vrarë dhe dy gra janë plagosur. Gjendja e dy grave të plagosura vazhdon të mbetet e pandryshuar. Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur për Telegrafin se gjendja e tyre vazhdon të jetë e njëjtë që nga mbrëmë. Sipas tij, të dy pacientet janë ende nën trajtim intensiv, pasi kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. “Gjendja e pacienteve është shumë e rëndë dhe jostabile”, ka deklaruar Syla. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në këtë fshat të Podujevës, ku një 45 vjeçar mbeti i vrarë, ndërsa dy gra u plagosën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Rasti ka tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave dhe pasojave të rënda. Të plagosurat fillimisht janë trajtuar në spitalin e Podujevës, por për shkak të gjendjes së rënduar janë transferuar me urgjencë në QKUK, ku po vazhdojnë trajtimin. Ndërkohë, autoritetet e sigurisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, përfshirë motivet dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike. /Telegrafi/