Njësia sekrete pas Lorencit të Arabisë dhe lindja e spiunazhit modern
Telegrafi

Njësia sekrete pas Lorencit të Arabisë dhe lindja e spiunazhit modern

Byroja Arabe ishte një grup ligjëruesish nga Oksfordi që ndërtuan një model të ri të inteligjencës - por, Perëndimi nuk arriti të mësojë prej saj. Nga: Eamonn Gearon, autor i librit të sapobotuar, Byroja Arabe: Historia e njësisë më të zgjuar të inteligjencës britanike [ The Arab Bureau: The Story of Britain’s Most Ingenious Intelligence Unit ] / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com [Aktori] Peter O’Toole ecën mbi rërat e shkretëtirës me rroba të bardha që valëviten. Këtu ai po hedh në erë linjat hekurudhore; këtu, mbi një deve, sulmon drejt armiqve në Akabë, një njeri i fatit që vështron përtej dunave. Ky është heroi romantik për të cilin ne ende mendojmë se i vetëm i ka bashkuar arabët dhe ka mposhtur një perandori. Ai është Lorenci [Lawrence] i Arabisë dhe ai mbetet imazhi ynë më i qëndrueshëm i inteligjencës së Luftës së Parë Botërore: brilant, i vetmuar, i pazëvendësueshëm. Ky koncept është krejtësisht i gabuar. Lorenci nuk ishte gjeni i vetmuar. Kryesisht falë filmit të vitit 1962 nga David Leani, reputacioni i fryrë i Lorencit ka lënë në hije organizatën që e krijoi atë: Byroja Arabe [Arab Bureau], njësia më inovative e inteligjencës britanike. E ndërtuar nga studiues të shndërruar në spiunë, Byroja zhvilloi teknika që kanë përcaktuar spiunazhin modern - megjithëse funksionoi vetëm për katër vjet - nga viti 1916 deri më 1920. Reputacioni i fryrë i Lorencit të Arabisë i interpretuar nga Peter O’Toole ka lënë në hije organizatën që atë e krijoi: Byronë Arabe (Columbia TriStar) Në vend që thjesht të numëronte trupa dhe të hartonte fortifikimet, Byroja Arabe besonte në inteligjencën kulturore si luftë. Ajo ia siguroi Britanisë informacionin më të mirë të qasshëm për gjithçka, nga konfliktet rajonale fisnore deri te aleancat familjare. Kjo ishte një inteligjencë kulturore në formën enjë kapaciteti operacional: luftë informative përmes zërave lokalë, gjykime analitike të bëra përmes rrjeteve. Shërbimet e mëvonshme të inteligjencës do të përshtatnin taktikat e Byrosë Arabe, por do të harronin strategjinë e saj - dhe, kostoja e kësaj amnezie mund të matet në një shekull ndërhyrjesh të dështuara në Lindjen e Mesme dhe miliarda të humbura. Byroja Arabe lindi nga kaosi burokratik. Në dhjetor të vitit 1915, deputeti konservator Mark Sykes zbuloi se inteligjenca britanike në Lindjen e Mesme të gjerë ishte e shpërndarë në 18 njësi të veçanta. Osmanët ishin në pushtet - dhe të mbështetur nga gjermanët - dhe propaganda e tyre kundër Aleatëve po rezultonte të ishte shumë efektive. Sykesi propozoi një zyrë në Londër për të koordinuar këtë situatë, ndërsa Gilbert Clayton, atëherë drejtor i inteligjencës ushtarake në Kajro, propozoi vendosjen e saj në Egjipt, ku mund të mblidhte informacion dhe të punonte për një Arabi të bashkuar, në vend që thjesht të shpërndante pamflete. Nga disa dhoma në hotelin “Savoy” në Kajro, Byroja Arabe rekrutoi në mënyrë jo të zakonshme. David Hogarth, përgjegjës për antikitetet në Muzeun “Ashmolean”, u caktua për të drejtuar operacionet, ndërsa Gertrude Bell, operativja e vetme femër, solli njohuri të pakrahasueshme për fiset e Mesopotamisë. Sa për T. E. Lawrencein [Thomas Edward Lawrence], ai analizonte inteligjencën, hartonte raporte dhe analizonte terrenin. Ishte një oficer i ri, 27 vjeç në atë kohë, pa asnjë ditë trajnim ushtarak, por i vlefshëm për përvojën e tij të paraluftës në gërmime arkeologjike në rajon. T. E. Lawrence ishte 27 vjeç kur filloi të punonte në Byronë Arabe (Bettmann) Ajo që e bënte Byronë Arabe të veçantë ishte rreziku se një studiues nga Oksfordi mund të rezultonte më i dobishëm se një oficer karriere i inteligjencës. Ajo rekrutoi arkeologë që kishin hartuar burimet e ujit në shkretëtirë, gjuhëtarë që kuptonin kodet e nderit fisnor, studiues që njihnin armiqësitë familjare dhe aleatët e mundshëm. Hogarthi përdori si kanale inteligjence rrjetet e tij të ekspeditave që kishte para lufte, ndërsa njohuria e drejtpërdrejtë antropologjike e Bellit sugjeronte se cilët liderë fisnorë do të mbështesnin cilët politikanë. Kishte një kusht të rreptë: Byroja nuk mund të ndërhynte në Zyrën Britanike të Indisë [Britain’s India Office], e cila kontrollonte naftën e Gjirit Persik dhe qeveriste miliona myslimanë. Perspektiva e një kryengritjeje të frymëzuar në aspektin fetar në Indi ishte, për ta thënë më butë, e frikshme. Megjithatë, operacionet e Byrosë mund të mos kishin arritur kurrë relalizimin nëse nuk do të ishte një ngjarje e vetme dhe një veprim shkatërrimtar strategjik nga udhëheqja osmane. Në Damask dhe Bejrut, më 6 maj 1916, guvernatori osman Djemal Pasha vari publikisht 21 nacionalistë arabë. Intelektualë, gazetarë dhe liderë politikë u ekzekutuan si tradhtarë, ndërsa turmat u detyruan të shikonin këtë demonstrim të kostos së mungesës së besnikërisë. Ndërsa autoritetet osmane e panë këtë si një mesazh force, për Byronë Arabe ishte një dhuratë operacionale. Varjet transformuan opinionin arab brenda natës, pasi rrjetet arabe - më parë besnike - filluan të vinin në dyshim besnikërinë e tyre ndaj osmanëve, dhe udhëheqësit fetarë që kishin predikuar pajtimin tani filluan të flisnin për rezistencë. Djemali kishte krijuar pa dashje një numër të madh martirësh dhe kishte bashkuar grupet opozitare më parë të shpërndara rreth një fyerjeje të përbashkët. Ekzekutimet ia dhanë kryengritjes karburantin emocional, ndërsa Byrosë Arabe një mundësi. Më vonë ajo do të njihej si Kryengritja Arabe. Nga e majta, T.E. Lawrence, David Hogarth dhe Guy Dawnay në Byronë Arabe më 1918 (IWM) Mendimi më radikal i Byrosë Arabe ishte të punonte me gazetarë, intelektualë arabë dhe të tjerë që kishin objektivat e njëjta strategjikë si të Britanisë në kohë lufte. Ajo porositi shkrimtarë vendas për një gamë të gjerë mesazhesh dhe i shpërndau këto materiale përmes rrjeteve ekzistuese kulturore dhe tregtare arabe. Ajo krijoi, botoi dhe shpërndau gazeta, përfshirë al-Qibla [ Drejtimi i faljes ] në Mekë dhe al-Kawkab [ Planeti ] në Kajro. Rreziku u shpërblye. Një nga kryeveprat e saj ishte Thawrat al-Arab [ Kryengritja Arabe ], një libër prej 85 mijë fjalësh nga gazetari libanez në mërgim, As’ad Daghir, i botuar në mënyrë anonime në Kajro në dhjetor 1916. Si vepra e parë madhore në mbështetje të Kryengritjes Arabe, ajo ofronte një histori të arabëve nga kohët më të hershme deri te varjet e majit 1916 në Bejrut. Ajo doli të jetë shumë e suksesshme: jo një mesazh britanik i përkthyer, por një zë autentik arab që përparonte parimin e dukshëm të nacionalizmit arab, ndërkohë që mbështeste objektivat e luftës së Britanisë dhe e fshihte këtë qëllim nga lexuesit. Kryengritja pati sukses në atë masë saqë osmanët e humbën luftën - edhe pse vizioni i madh i një mbretërie arabe të pavarur nuk u realizua kurrë. Gertrude Bell ishte operativja e vetme femër e Byrosë (Getty) Byroja u shpërbë në vitin 1920, si viktimë e shkurtimeve buxhetore dhe e kundërshtarëve më të fuqishëm, veçanërisht në Zyrën e Indisë. Në dekadat e mëvonshme, shërbimet perëndimore të inteligjencës u përpoqën, herë pas here, të riktheheshin te modeli i saj, por jo me aq sukses. Merrni parasysh të dhënat e fundit. Pas vitit 2006, forcat amerikane në Irak dhe Afganistan u përpoqën të ndiqnin qasjen e Byrosë Arabe me Ekipet e Terrenit Njerëzor [Human Terrain Teams], duke integruar studiues brenda njësive luftarake pas viteve të dështimeve të kushtueshme ushtarake. Por, ishte shumë pak dhe shumë vonë: Perëndimi u gjend i hutuar nga dinamikat fisnore që ishin hartuar për herë të parë nga Byroja Arabe në vitin 1916. Kur buxhetet kufizohen, ekspertiza kulturore pothuajse gjithmonë është e para që shkurtohet. Ironia është e dukshme. Agjencitë perëndimore manovrohen vazhdimisht prej grupeve që e kuptojnë më mirë njohurinë lokale - merrni, si shembull, Isis-in. Byroja Arabe operonte me rreth 500 mijë paundë [vlera e përafërt e 577 mijë eurove] në vlerën e sotme; Lufta e Irakut i kushtoi Britanisë mbi 20 miliardë paundë. Tani ne shpenzojmë miliarda duke dështuar në atë që një njësi e inteligjencës ushtarake dikur arriti me mjete shumë të kufizuara. Pse një amnezi kaq e plotë? Përgjigjja qëndron te nuanca e nevojshme për të kuptuar, madje besuar, organizatat kaq komplekse të inteligjencës, për dallim nga mënyra se si ne preferojmë ta kujtojmë vetë Byronë Arabe. Holivudi është i kënaqur me një hero për një film, dhe kështu kryevepra kinematografike e David Leanit e reduktoi Byronë në një sfond për aventurat e Lorencit. Në të vërtetë, Byroja pati sukses sepse mendjet e shkëlqyera punuan brenda një sistemi që vlerësonte ekspertizën mbi hierarkinë, njohurinë kulturore mbi fuqinë e zjarrit, mirëkuptimin mbi forcën. Pyetja nuk është nëse mund të mësojmë nga Byroja Arabe, por nëse do të mësojmë ndonjëherë. /Telegrafi/

Go to News Site