Telegrafi
Aktori shqiptar Ridvan Murati ka ndarë me ndjekësit e tij një lajm të rëndësishëm në rrjetet sociale, duke bërë të ditur suksesin e filmit Heldin, ku ai është pjesë e kastit. Në një status emocionues, Murati tregoi se filmi ka triumfuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga Akademia e Zvicrës, duke fituar në të tri kategoritë ku ishte i nominuar. Ai e cilësoi këtë arritje si një moment të veçantë, të cilin ndjeu nevojën ta ndajë me publikun. “Së fundmi, Akademia e Zvicrës ndau çmimet për filmin më të mirë dhe filmi ‘Heldin’, ku jam edhe unë pjesë, ishte i nominuar në tri kategori — dhe arriti të fitojë në të tria”, shkroi aktori, duke e shoqëruar postimin me entuziazëm dhe falënderime për ekipin. Sipas tij, “Heldin” u shpërblye si filmi më i mirë në Zvicër dhe njëkohësisht u bë edhe filmi më i shikuar në kinematë zvicerane, duke thyer rekorde shikueshmërie. Murati e përshkroi këtë si një arritje të jashtëzakonshme për të gjithë ekipin. Ai kujtoi gjithashtu se filmi kishte arritur më herët edhe në shortlistën e 15 filmave më të mirë në Akademinë e Arteve në Los Angeles, në kuadër të garës për çmimet Oscar, një tjetër sukses i rëndësishëm për projektin. “Puna, përkushtimi dhe vendosmëria gjithmonë sjellin suksese. Mos hiqni kurrë dorë nga ëndrrat tuaja”, theksoi Murati në mesazhin e tij, duke shprehur mirënjohje për ekipin e filmit dhe për mbështetjen e publikut. Në fund, aktori shqiptar falënderoi bashkëpunëtorët e tij, duke nënvizuar se pa punën e përbashkët ky sukses nuk do të ishte i mundur, ndërsa lajmi është pritur me reagime pozitive nga ndjekësit e tij. /Telegrafi/
Go to News Site