“Pretendime të pasakta të Shkëlzen Gashit dhe organizatorëve të ekspozitës”, reagon Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë
Telegrafi

“Pretendime të pasakta të Shkëlzen Gashit dhe organizatorëve të ekspozitës”, reagon Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është larguar sot nga sheshi i Prishtinës nga ekipet e komunës për shkak të reagimeve të shumta që ka ngjallur për pasaktësi në të dhëna dhe përmbajtje. Reagimet për këtë ekspozitë kanë pasur të bëjnë edhe me paraqitjen e të dhënave për masakrën në Burgun e Dubravës. E pas kritikave të shumta ka reaguar autori i kësaj ekspozite, Shkelëzen Gashi Sipas tij, askund nuk kanë thënë që Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se në momentin e vrasjes, këta 48 persona kanë qenë duke luftuar. “As ne nuk po e themi që këta persona janë vrarë duke luftuar”, ka thënë ai. Ekspozita në shesh dhe të dhënat për masakrën në Burgun e Dubravës, reagon Shkëlzen Gashi Lidhur me këtë ekspozitë, sot ka reaguar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Në reagim thuhet se të dhënat e paraqitura në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve. “Kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK)”, thuhet në reagim. Lexoni t ë plotë reagimin e FDH-së dhe FDHK-së: Reagim ndaj pretendimeve të pasakta të Shkëlzen Gashit dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998 - 1999” Të dhënat e paraqitura në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve. Kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK). Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes. I njëjti gabim është bërë edhe në rastin e Mejës. Mes të vrarëve kishte persona që më parë kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, por më 27 prill ata u ndanë nga kolonat e civilëve, ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe. Në këto rrethana ata nuk mund të konsiderohen “persona të armatosur”, por viktima të krimeve të luftës. Organizatorët e ekspozitës tregojnë gjithashtu mungesë njohurie për faktet e vërtetuara në gjykatë në lidhje me Reçakun. Në transkriptin e gjykimit të Sllobodan Millosheviq-it, Shukri Buja ka deklaruar se nëntë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë në luftime më 15 janar 1999, gjë që është e ndarë nga vrasja e civilëve në Reçak. Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së. Në Baza e të dhënave të FDH dhe FDHK, përkatësia dhe rrethanat e vdekjes janë kategori të ndryshme. Pikërisht mosnjohja e këtij dallimi ka çuar në paraqitjen e gabuar të 48 të burgosurve të vrarë në Dubravë si “persona të armatosur”, duke shtrembëruar natyrën e krimit. Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë. Baza e të dhënave FDH dhe FDHK, e cila dokumenton më shumë se 8.500 viktima civile shqiptare të krimeve të luftës, është vlerësuar në një evaluim të pavarur të vitit 2015 si baza më e plotë dhe më e besueshme e këtij lloji. Evaluimi është kryer nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Patrick Ball dhe profesorin britanik Michael Spagat. Duhet rikujtuar gjithashtu se të njëjtët autorë para dy vitesh kanë botuar librin “Masakrat në Kosovë”, i cili përmban shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë. I njëjti model po përsëritet tani në këtë ekspozitë: të dhëna të pasakta, të bazuara në mungesë njohurie dhe pa përgjegjësi ndaj viktimave. Për këto arsye, konsiderojmë se ekspozita, në formën e saj aktuale, duhet të hiqet nga hapësira publike. Njëkohësisht, është e domosdoshme të ndërpritet paraqitja arbitrare dhe joprofesionale e krimeve dhe fatit të viktimave. Paraqitja e pasaktë e fakteve nuk kontribuon në kulturën e kujtesës, por e dëmton atë, relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. /Telegrafi/

Go to News Site