Protesta në të gjithë SHBA-në kundër Donald Trumpit
Telegrafi

Protesta në të gjithë SHBA-në kundër Donald Trumpit

Protesta të mëdha kundër administratës Trump po zhvillohen në qytete anembanë SHBA-së, duke shënuar përsëritjen e tretë të tubimeve “No Kings”, që më parë kanë tërhequr miliona njerëz. Organizatorët thonë se po protestojnë kundër politikave “të imponuara nga presidenti i SHBA-së”, Donald Trump, duke përfshirë luftën në Iran, zbatimin federal të ligjit për imigracionin dhe rritjen e kostos së jetesës, shkruan BBC. Aleatët e Trumpit më parë i kanë denoncuar protestat “No Kings” si “tubim kundër Amerikës” dhe i kanë akuzuar pjesëmarrësit se janë të lidhur me lëvizjen e ekstremit të majtë Antifa. Protesta po zhvillohen në pothuajse çdo qytet të madh të SHBA-së, përfshirë New Yorkun, Washingtonin dhe Los Angeles. Ashtu si në tubimet e mëparshme, protestuesit mbajnë në duar pankarta me portretin e Trumpit, JD Vance dhe zyrtarëve të tjerë, duke bërë thirrje për shkarkimin e tyre. Ndryshe, tubimi i fundit “No Kings” në tetor tërhoqi turma prej gati shtatë milionë njerëzish në të gjithë vendin. Disa shtete amerikane mobilizuan Gardën Kombëtare, por organizatorët kanë pohuar se ngjarjet janë paqësore. "Ata po më referohen si mbret. Unë nuk jam mbret", kishte deklaruar Trump në një intervistë me Fox News në tetor. /Telegrafi/

Go to News Site