Telegrafi
Ramush Haradinaj ka kujtuar 29 marsin e vitit 1999, duke nderuar viktimat e vrara në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Ai bëri të ditur se sot në Beleg ka ndarë dhimbjen me familjarët, të cilët edhe pas shumë vitesh vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre. Haradinaj shkroi se, viktimat, edhe pse të paarmatosur, u ekzekutuan pa mëshirë nga forcat serbe, mes tyre gra, pleq e fëmijë. Haradinaj gjithashtu kujtoi se, pasi një ditë më parë u përkujtua themelimi i Brigadës 137 “Gjakova”, sot janë bërë homazhe në nderim të 14 bashkëluftëtarëve të rënë në Shishman të Bokës. Ai i cilësoi ata si djem të zotë e luftëtarë të dalluar, disa prej të cilëve i kishte njohur në frontet e luftës. Haradinaj theksoi se shteti i Kosovës është fituar me shumë gjak e sakrificë dhe se e vërteta e luftës çlirimtare nuk mund të shtrembërohet. Ai shtoi se Serbia kishte mision shfarosjen e shqiptarëve, ndërsa këtij synimi, sipas tij, i dhanë fund luftëtarët e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell, e udhëhequr nga Amerika. “Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp”, ka deklaruar Haradinaj. /Telegrafi/
Go to News Site