Collector
Azemi e quan diskriminues vendimin për 100 euro për sektorin privat: Qesharake dhe jo njerëzore | Collector
Azemi e quan diskriminues vendimin për 100 euro për sektorin privat: Qesharake dhe jo njerëzore
Telegrafi

Azemi e quan diskriminues vendimin për 100 euro për sektorin privat: Qesharake dhe jo njerëzore

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e nga 100 eurove për punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos “Inflacioni 2.0”, duke e cilësuar atë si diskriminues në raport me sektorin publik. Në një konferencë për media, Azemi tha se sa herë që Qeveria ndërmerr masa stimuluese për punëtorët, krijohet – sipas tij, një ndasi e madhe ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. “Sot këtë konferencë për shtyp e kemi sjellur lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pakon e Inflacionit 2.0. Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi. Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë Ai krahasoi mbështetjen financiare që, sipas tij, është dhënë më herët për sektorin publik me atë që parashihet për sektorin privat, duke thënë se dallimi është i madh. “Punëtorët e sektorit publik morën rreth 65 milionë euro, punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, u shpreh ai. Azemi tha se, sipas kritereve të vendosura, përfitimi për sektorin privat do të vlejë vetëm për punëtorët me pagë nën 1 mijë euro, ndërsa në sektorin publik, sipas tij, kanë përfituar edhe ata me paga mbi këtë shumë. “Punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, tha ai. Qeveria ndan 1 milion euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë Ai e lidhi vendimin edhe me pragun zgjedhor, duke pretenduar se masa nuk është marrë për mbështetje reale të punëtorëve. “Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve… të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, deklaroi Azemi. Kreu i sindikatës paralajmëroi se një pjesë e madhe e punëtorëve privatë mund të mos përfitojnë nga kjo masë, duke përmendur mungesën e kontratave të punës dhe vështirësitë me aplikim. “Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune”, tha ai. Në fund, Azemi tha se sektori privat vazhdon të mbetet më i dëmtuari, duke krahasuar numrin e punëtorëve dhe shumën totale të mbështetjes. “300 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës po marrin 20 milionë euro, përderisa tek punëtorët e sektorit publik, 85 mijë kanë marrë 65 milionë euro”, përfundoi Azemi. / Telegrafi /

Go to News Site