Collector
Giriş Yap
“Kosovarët janë lodhur nga bixhozi politik”, mediat zvicerane mbi zgjedhjet në Kosovë | Collector
“Kosovarët janë lodhur nga bixhozi politik”, mediat zvicerane mbi zgjedhjet në Kosovë

“Kosovarët janë lodhur nga bixhozi politik”, mediat zvicerane mbi zgjedhjet në Kosovë

Gzetat zvicerane i kushtuan vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Kosovë. Gazetat “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) dhe “Tages Anzeiger” publikuan analiza të hollësishme mbi rezultatet dhe krizën politike që vazhdon të mbajë vendin peng. Sipas NZZ, partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet, por pa shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm - duke e lënë vendin përballë një bllokade të re politike. Pas numërimit të mbi 99 për qind të votave, Vetëvendosja mori rreth 43 për qind të votave, ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21,1 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,7 për qind. Kurti do të ketë nevojë për koalicion dhe kompromise me opozitën - pikërisht aty ku kishte dështuar tashmë në pranverë, kur parlamenti nuk arriti të zgjidhte presidentin e ri brenda afatit, duke çuar në zgjedhjet e treta brenda pak muajve, shkruan NZZ . Lodhja e qytetarëve nga kjo valë zgjedhjesh u pasqyrua qartë në shifra: pjesëmarrja arriti vetëm rreth 37 për qind - rekord historik negativ që nga pavarësia e vitit 2008 dhe 8 pikë përqindje më pak se në dhjetor. NZZ thekson se Kosovës i kanoset humbja e fondeve të BE-së në vlerë milionësh për shkak të kësaj pakënaqësie të vazhdueshme. Një këst prej 90,7 milionë eurosh është tashmë në rrezik serioz, pasi afati për miratimin e reformave skadon në fund të qershorit dhe koha nuk mjafton. Pasojat do të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët: shkolla që nuk rinovohen, infrastrukturë e bllokuar, sektori i energjisë dhe shëndetësisë gjithnjë e më i ngarkuar. Gazeta “ Tages Anzeiger ” shkruan se shumë votues ia treguan kartonin e kuq të gjitha partive - ndëshkuan qeverinë pa e shpërblyer opozitën. Klima politike është shumë e polarizuar - jo vetëm në parlament e institucione të tjera, por edhe në studio televizive, të cilat nganjëherë ngjajnë me ring boksi. “Kosovarët janë lodhur nga bixhozi politik”, shkruan gazeta. Megjithëse Kurtit i njihet merita për frenimin deri diku të korrupsionit, shumë votues mbeten të pakënaqur me bilancin e qeverisjes së tij gjashtëvjeçare. Reformat themelore në arsim dhe shëndetësi kanë munguar: nxënësit kosovarë renditen vazhdimisht në vendet e fundit të PISA-s, ndërsa për trajtim mjekësor kosovarët shkojnë kryesisht jashtë vendit, sidomos në Turqi. “Tages Anzeiger” thekson se qeveria e re duhet të kalojë nga retorika morale te qeverisja efikase - dhe të ketë një qasje më përafruese ndaj minoritetit serb, pavarësisht sabotimit nga Beogradi. “Tages Anzeiger” thekson se, përkundër kritikave, Kosova mbetet një demokraci funksionale dhe një përjashtim pozitiv në rajon. Zgjedhjet u zhvilluan me qetësi, rezultatet u njohën nga të gjitha palët dhe u shpallën, siç shkruan “Tages Anzeiger”, me saktësi pothuajse zvicerane.

Go to News Site